“Xixa” mes Kukësit dhe Dinamos/ Verilindorët zhvendosen 54 km larg për të mos ju kopjuar skemat

14/01/2022 19:41

Ka mjaftuar vetëm një kafe e drejtuesve të Dinamos në “Football Republic”, teksa prisnin të mbaronte stërvitjen skuadra kuksiane për ta zënë ata impiantin, që midis bluve të kryeqytetit dhe verilindorëve të shpërthenin polemikat, duke qenë se janë dhe dy skuadrat që do të përballen në këtë javë të “Abissnet Superiores”.

Trajneri i Kukësit Diego Longo që as nuk ka qenë në seancën e fundit stërvitore për shkak të temperaturës, mbrëmë ka reaguar në rrjetet sociale, madje edhe duke ironizuar, se stafi teknik i Dinamos po “u vidhte” taktikat, ndërkohë që blutë nuk janë shqetësuar nga një gjë e tillë, edhe pse të ekipet stërviteshin në të njëjtin impiant sportiv.

Në këto kushte, për të shmangur kontaktet, trajneri Diego Longo dhe stafi drejtues i klubit të Kukësit, kanë vendosur të largohen nga kryeqyteti dhe “Football Republic”. Ata kanë preferuar të largohen 54 km larg nga Tirana për t’u përgatitur në qendrën sportive “Olimpik Park” pranë qytetit të Durrësit, ku do të qëndrojnë deri në prag të ndeshjes.

Të mërkurën e 19 janarit, në kuadër të javës së 16-të të kampionatit Abissnet Superiores, orën 16:45, në stadiumin e ri “Kukës Arena”, do të luhet ndeshja Kukësi-Dinamo. Verilindorët i janë larguar syve të kundërshtarit. Skuadra e Vllaznisë, që stërvitet gjithashtu në atë impiant, nuk është problem për trajnerin Longo.

Top Channel