Nga Napoli te Cagliari, Caprile flet për Shqipërinë dhe të ardhmen me Italinë
Atmosfera rreth stolit të Brazilit po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Pas humbjes 3-2 në miqësoren ndaj Japonisë gjatë fundjavës, trajneri i kombëtares, Carlo Ancelotti, është vënë në qendër të një furtune të vërtetë mediatike dhe kritikash, të nxitura nga ish-yjet e futbollit brazilian.
Në prag të miqësores së radhës ndaj Singaporit, që do të luajë në shtëpinë e tij, trajneri italian ka zgjedhur t’u përgjigjet sulmeve të drejtpërdrejta me qetësi dhe maturi, ndonëse ka pranuar se skuadra duhet të ndryshojë ritëm dhe të reagojë.
Përplasja verbale me Romarion
Në qendër të polemikave është paraqitja e Seleçaos, e cila ende nuk e ka marrë veten nga eliminimi në Botëror dhe nuk ka arritur të bindë as në këtë cikël të ri. Në krye të grupit të kritikëve qëndron Romario. Kampioni i botës në vitin 1994, i cili që pas eliminimit nga Botërori kishte kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit, i ka ashpërsuar edhe më shumë kritikat në rrjetet sociale pas humbjes ndaj Japonisë: ‘Ancelotti, gjithçka ka marrë fund! Mblidhi gjërat e tua dhe largohu. Askush nuk vë në diskutim historinë tënde në nivel klubesh, por në drejtimin e Brazilit nuk je në lartësinë e duhur. Nuk të durojmë më!’.
Në konferencën për shtyp, Ancelotti nuk e humbi qetësinë dhe iu përgjigj me gjakftohtësinë e tij karakteristike.
‘Në një vend demokratik, ku garantohet liria e shprehjes, çdokush ka të drejtë të thotë atë që mendon, qoftë e vërtetë, gënjeshtër apo edhe marrëzi. E vërteta është se Romario flet shumë, madje jashtëzakonisht shumë, por kjo është e drejta e tij dhe le të vazhdojë të flasë-tha Ancelotti
Megjithatë, Romario nuk është i vetmi që ka ngritur zërin kundër Ancelottit. Ish-sulmuesi Casagrande ka kritikuar regresin taktik të skuadrës dhe mungesën e një numri 10 të mirëfilltë, duke sugjeruar si zgjidhje Matheus Pereiran e Cruzeiros. Ai ka shkuar edhe më tej, duke i cilësuar vetë Ancelottin dhe Raphinhën si “simbolet e dështimit të Seleçaos”. Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Neto, ish-lojtar i kombëtares braziliane dhe figurë televizive e TV Bandeirantes. Ai e ka cilësuar trajnerin italian si një kërkues të konsensusit dhe një nga zhgënjimet më të mëdha që ka përjetuar në futboll. Neto e ka kritikuar Ancelottin edhe për përpjekjen për të gjetur justifikime te mungesa e përvojës së gjyqtarëve pas ndeshjes me Japoninë.
Besimi i Federatës
Pavarësisht se CBF (Federata Braziliane e Futbollit) i ka konfirmuar besimin, duke i zgjatur kontratën deri në vitin 2030, presioni mbi Ancelottin është i dukshëm. E përditshmja braziliane Extra ka analizuar ecurinë e trajnerit italian, duke nxjerrë në pah shifrat e drejtimit të tij: në 21 ndeshje, Ancelotti ka regjistruar 12 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje, me një përqindje suksesi prej 63,5%. Kjo shifër është më e lartë se ajo e dy paraardhësve të tij të fundit, Dorival Júnior (58,3%) dhe Fernando Diniz (38,8%), por mbetet ende larg përqindjes prej 80,2% që regjistroi Tite deri në vitin 2022. Sipas mediave vendase, megjithatë, humbja ndaj Japonisë ka shteruar edhe atë pak durim që u kishte mbetur tifozëve. Madje, në Amerikën e Jugut ka nisur të bëhet edhe një krahasim mes krizës së Seleçaos dhe asaj të Italisë, e cila vjen pas humbjes së rëndë 4-1 ndaj Belgjikës.
Autokritika dhe zgjedhjet për ndeshjen ndaj Singaporit
I vetëdijshëm për momentin delikat, Ancelotti nuk është përpjekur t’u shmanget kritikave, por ka bërë edhe autokritikë.
‘Punën që kam bërë deri më tani nuk e konsideroj të mjaftueshme. Duhet të bëj më shumë dhe do ta bëj. Më pëlqen ky projekt dhe më pëlqen të jem këtu, por ka kaluar shumë kohë që kur Brazili ka qenë për herë të fundit një skuadër vërtet konkurruese. Duam të rikthehemi në atë nivel-tha Ancelotti
Trajneri italian ka bërë të ditur gjithashtu se miqësorja e nesërme ndaj Singaporit do të shënojë fundin e fazës së eksperimentimeve. Më pas, ai do të ngushtojë listën e lojtarëve të grumbulluar dhe do të intensifikojë kontaktet me klubet, për të ndjekur nga afër talentet e reja. Megjithatë, ndaj kombëtares aziatike, Ancelotti nuk do të mund ta drejtojë Brazilin nga stoli. I pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në minutat e fundit të ndeshjes së tensionuar ndaj Japonisë (i njëjti ndëshkim iu dha edhe Raphinhës, i cili ndodhej në stol), ai do t’ia lërë drejtimin e skuadrës nga vija anësore ndihmësit të tij, Francesco Maurit.
Megjithatë, udhëzimet taktike janë tashmë të qarta. Trajneri ka paralajmëruar disa ndryshime në formacionin titullar, duke nisur me aktivizimin e Rayanit në rolin e mesfushorit të majtë, si dhe me një treshe sulmuese të përbërë tërësisht nga talenti dhe rinia: Estevao, Endrick dhe Vinícius. Tashmë, përgjigjja ndaj kritikave duhet të vijë në fushën e lojës.
Top Channel