Një mësuese e shkollës fillore është rrahur për vdekje në një sulm makabër në dukje pa asnjë motiv teksa kishte dalë për vrap në një park të frekuentuar në Irlandë.
22 vjeçarja Ashling Murphy, mësuese në shkollën fillore të Tullamore, u vra pasditen e të mërkurës pranë brigjeve të lumit Grand Canal.
Një burrë është arrestuar në lidhje me ngjarjen dhe po merret në pyetje nga autoritetet, teksa policia po ben apel për dëshmitarë.
Zonjusha Murphy po vraponte në brigjet e kanalit Cappincur, rreth orës 4 pasdite të mërkurën kur u sulmua brutalisht.
Sipas rrjetit vendas Independent.ie, Murphy vinte nga një familje e respektuar në zonë dhe ishte e njohur në skenën muzikore rajonale.
Gazeta shtonte se i dyshuari për vrasjen është një shtetas rumun në të 40-at që jetonte prej kohësh në zonë dhe kishte probleme me vendasit.
Sipas raportimeve dy gra kanë qenë dëshmitare të sulmit dhe kanë parë të dyshuarin të largohet nga vendngjarja. Ai u arrestua pak më vonë.
“Zona ku ndodhi krimi është e frekuentuar nga rezidentët dhe përdoret shpesh për zbavitje apo vrapim”, tha kreu i policisë vendase Eamonn Curley.
“Ashling ishte mësuese në shkollën e Durrow. Lutjet tona shkojnë me prindërit e familjarët e Ashling, kolegët mësues dhe nxënësit që do të jenë pa mësuesen e tyre”, thanë autoritetet.
“Kushdo që ka informacion mbi ngjarjen duhet të kontaktojë me autoritetet, për t’u siguruar që të bëhet drejtësi mbi krimin”, shtonin zyrtarët në deklaratë.
Top Channel