Viti i ri sjell si zakonisht në vëmendjen e të gjithëve Kupën e Anglisë FA Cup dhe kompeticioni më i vjetër në rruzull në rang klubesh zhvillon edicionin e 141 në histori.
Bëhet fjalë për aktivitetin e dytë më të rëndësishëm në vend dhe raundi i tretë i Kupës së Federatës përfaqëson gjithmonë një kujtim tepët të vecantë, pasi në këtë tur përfshihen në këtë kompeticion gjithashtu edhe skuadrat elitare të Premier League-s. Për hir të së vërtetës ky edicion i Football Association Challenge Cup ka nisur që më 6 gushtin e vitit të kaluar, me pjesëmarrjen e 729 ekipeve gjithsej. 637 prej këtyre klubeve e filluan aventurën e tyre që në sfidat kualifikuese, ndërkohë 124 konsiderohet numri i ekipeve që figurojnë në total në shortin kryesor të këtij aktiviteti. Për të mbërritur deri në këtë fazë të kompeticionit që konsiderohet gjithashtu edhe si Kupa e Mbretëreshës janë nevojitur 73 ndeshje dhe 210 gola gjithsej.
Mbajtësi në fuqi i trofeut FA Cup është ekipi i Leicester City-t që 15 majin e vitit të shkuar mundi në finalen e madhe të Wembley-t përpara 20.000 spektatorëve skuadrën e Chelsea-t, falë golit të realizuar gjysmë ore para përfundimit nga mesfushori 24-vjecar belg Youri Tielemans, për të shënuar emrin e klubit nga Leicestershire për herë të parë në librin e artë të skuadrave fituese të këtij aktiviteti pas plot katër finaleve të humbura. Duke pasur parasysh dominimin e Manchester City-t në futbollin anglez përgjatë dekadës së fundit mundësia për të fituar trofe në ishull është kufizuar ndjeshëm, për më tepër edhe Kupa e Ligës është duke marrë nga viti në vit një rëndësi vërtet tepër të vecantë. Me gjithë suksesin e “dhelprave” në edicionin e kaluar janë plot 5 klube të ndryshme që ia kanë dalë për të triumfuar në 6 sezonet e fundit të kompeticionit më të lashtë në planet të këtij sporti. Përvec skuadrës së drejtuar nga trajneri Brendan Rodgers bëhet fjalë për emra si Manchester United, Manchester City, Chelsea dhe Arsenal, kështuqë përjashtim bën vetëm ekipi I Arsenalit, e kurioz është fakti se si në 2017 ashtu edhe në vitin 2020 “topcinjtë” mposhtën në finale formacionin tjetër londinez të Chelsea-t.
Blutë e drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel janë shumë shumë pranë finales në Kupën e Ligës, për më tepër në gushtin e vitit të kaluar ekipi i Chelsea-it e filloi sezonin duke fituar Superkupën Evropiane, pasi mundi në Stadiumin Windsor Park të Belfastit skuadrën e Villarreal-it pas gjuajtjeve të 11-metërshave. Pra Chelsea është në garë edhe në pesë aktivitetet e tjera ku merr pjesë, duke përfshirë këtu sigurisht edhe Kupën e Botës për Klube, që do të nisë në fillimin e muajit të ardhshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku rivalët kryesorë konsiderohen klube si Palmeiras dhe Monterrey, por gjithsesi vlen të theksohet fakti se në pesë edicionet e fundit në FA Cup “blutë” kanë humbur 3 nga 4 finalet e luajtura. Këtë herë bookmakers-at kuotojnë City-n e Guardiolës si ekipin favorit për të triumfuar në edicionin e 141 të FA Cup. Natyrisht duke parë paraqitjet e viteve të fundit Chelsea renditet I dyti, ndërsa më pas me radhë në listën e ekipeve favoritë vijnë klube si Liverpool dhe Manchester United, pra kuptohet, bëhet fjalë pak a shumë edhe për skuadrat që pritet të përfaqësojnë Anglinë në Champions sezonin e ardhshëm.
Në raundin e tretë si zakonisht hyjnë në valle përveç 20 klubeve elitare të Premier League-s gjithashtu edhe 24 ekipet e Championship-it. Gjithcka nis me duelin Swindon Town– Manchester City, që do të luhet të premten në mbrëmje në orën 21:00 në Stadiumin County Ground. Klubi nga Wiltshire në jugperëndim të ishullit bën pjesë aktualisht në nivelin e katërt të futbollit anglez. Në fakt nga League Two marrin pjesë 8 klube, praktikisht po aq sa edhe nga League One, pra niveli I tretë në piramidën e futbollit anglez. Chelsea do të masë forcat me Chesterfield-in, ekip I kategorisë së pestë, prej nga ku kanë mbijetuar gjithashtu edhe klube si Boreham Wood dhe Yeovil Town, ndërkaq klubi me renditjen më të ulët në “ranking” është padyshim ekipi I Kidderminster Harriers, i cili i zhvillon takimet në Divizionin e Veriut në National League, pra bëhet fjalë për një skuadër të kategorisë së gjashtë në vend. Sic dihet në këtë aktivitet nuk ka asnjë kriter dhe shorti është i lirë.
Kështu interes paraqesin në mënyrë të veçantë pikërisht tre çiftet e vetme ku përplasen vetëm skuadra të Premier League-s si: Leicester City–Watford, West Ham–Leeds dhe Manchester United–Aston Villa. Raundi i ardhshëm i sfidave të fazës së 1/16 është programuar pas vetëm një muaji, nga data 4 deri më 7 shkurt, prandaj për të evituar një ngjeshje të theksuar të kalendarit, duke pasur parasysh edhe 19 ndeshjet e shtyra në kampionat, pothuajse të gjitha për arsye të përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit dhe variantit të ri “omicron” drejtuesit e Federatës kanë vendosur që deri në fund të sezonit të mos ketë takime shtesë, por gjithcka do të përfundojë ditën e përcaktuar, me ndeshjen që do të vazhdojë deri në fund, pra duke shkuar deri te koha shtesë apo qoftë edhe te gjuajtjet e 11-metërshave, natyrisht nëse do të jetë e nevojshme./SuperSport/
Top Channel