SHBA, shtab pararojë në Shqipëri/ Merret vendimi për vendosjen e komandës së forcave operacionale

06/01/2022 19:32

Një shtab pararojë i  Komandës së Operacioneve Speciale të ushtrisë amerikane në Europë,  do të vendoset në Shqipëri.

Vendimin e Pentagonit ambasadorja amerikane Yuri Kim e quajti si një mënyrë të jashtëzakonshme për të nisur vitin e ri me këtë zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënien mes SHBA dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.

Ambasadorja Kim thekson se kjo është hera e parë që SHBA ngrenë një seli të këtij lloji në Shqipëri.

Sipas saj ky zhvillim është i rëndësishëm për sigurinë rajonale.

Ambasada amerikane në Tiranë thotë se kjo seli e re Komandës së Operacioneve Speciale të ushtrisë amerikane u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe ministrisë së mbrojtjes.

Kryeministri Edi Rama e quajti këtë zhvillim si një super-lajm.

“Është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë. Shprehje e një bashkëpunimi shumë të afërt e me këtë rast dua ta falënderoj publikisht, diçka që nuk e kam fort me qejf, të them të drejtën, kur e bëj por kur duhet bërë duhet bërë, sepse ambasadorët bëjnë detyrën e tyre dhe kjo mania e falënderimit të ambasadorëve është diçka nga e cila ne duhet të ndahemi, por realisht ambasadorja Yuri Kim duhet falënderuar për lehtësimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi . Po e prisnim me padurim daljen e këtij lajmi kaq të mirë, edhe për ata që na qahen, “ku i kemi armët, ku i kemi helikopterët, ku i kemi pushkët, ku i kemi koburet”. Ne jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por jemi tanimë një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë”, tha Rama.

Shqipëria sipas kësaj komande, redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare.

“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA