Qeveria italiane njoftoi të mërkurën se planifikon që të relaksojë masat e izolimit për personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit me koronavirus.
Masa e izolimit më nuk do të kërkohet për personat që kanë marrë dozën përforcuese, janë të vaksinuar me të dy dozat apo janë shëruar nga sëmundja COVID-19 më pak se 120 ditë më parë. Ata do të duhet të paraqesin një test negativ pesë ditë pasi kanë pasur kontakt me ndonjë të infektuar.
Ndërkaq, për personat që nuk janë vaksinuar, nëse kanë kontakt me ndonjë të infektuar, do të detyrohen që të futen në izolim për dhjetë ditë.
“Mendoj se është e arsyeshme që të aplikohen rregulla të ndryshme për qytetarët që kanë ndjekur udhëzimet e Qeverisë, duke marrë dy dozat dhe më pas dozën përforcuese”, tha nënsekretari i Shëndetësisë, Andrea Costa.
Qeveria tha se masat e reja do të hyjnë në fuqi pas konsultimeve me komisionarin e posaçëm për COVID-19.
Gjatë kësaj jave, Italia ka regjistruar rritje të rasteve ditore dhe të mërkurën shënoi 98,030 raste, shifër rekorde e infektimeve. Po ashtu është rritur edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.
Qeveria ka ashpërsuar masat gjatë festave të fundvitit, duke ndaluar mbajtjen e koncerteve dhe organizimeve të tjera argëtuese dhe ka mbyllur diskotekat deri më 31 janar. Po ashtu, në Itali, mbajtja e maskës në ambiente të hapura tashmë është bërë obligative.
Qeveria italiane ka vendosur kufizime edhe për udhëtarët, përfshirë edhe ata brenda Bashkimit Evropian. Të gjithë qytetarët duhet t’i nënshtrohen testit për koronavirus përpara se të udhëtojnë.
Në Itali, pothuajse 80 për qind e popullatës janë vaksinuar me dy doza të vaksinës dhe rreth 30 për qind kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.
Top Channel