Top Story/ Fshati i Tiranës si në mesjetë, të sëmurët i zbresin me barrela në krahë

22/12/2021 23:31

Këtu jemi në fshatin Bastar i mesëm, të Tiranës. Vetëm 20 km larg qendrës së kryeqytetit, ai është krejtësisht i harruar. Pa rrugë, pa ujë për vaditje, me shkollën e dëmtuar nga tërmeti jetesa është tejet e vështirë.

Mbi të gjitha në këtë zonë mungon edhe shërbimi shëndetësor. “Këtu nuk ka fare mjekë. Është shumë keq për mjekë. Mos të raftë me u sëmur këtu” u shpreh banori. Kjo është ambulanca e fshatit. Sic edhe shihet nga pamjet, dera e saj është mbyllur. Për mjekë as që bëhet fjalë, por banorët tregojnë se herë pas here vjen një mami, e cila më së shumti shkon në shtëpitë e grave shtatzanë ose atyre që kanë fëmijë të vegjël që i ndjek në procesin e vaksinimit.

Ajo vjen në këmbë, dhe po ashtu lëviz në këmbë në cdo shtëpi që janë larg jëra tjetrës. Dhe për këtë punë ajo nuk paguhet më shumë se 50 mijë lekë të reja në muaj, duke e bërë ta pamundur joshjen e të mjekëve të rinj drejt zonave të thella. Ndonëse jemi në rrethinat e Tiranës, situatat me të cilat duhet të përballen banorët e këtij fshati për një shërbim mjekësor janë në kufinjtë e të paimagjinushmes.

Ata tregojnë se nëse dikush sëmuret, ambulancat e kanë të pamundur të futen në këtë zonë, por as në makina personale nuk e transportojnë dot pasi për shkak të rrugës së amortizuar pëson shumë tronditje, ndaj i zbresin me barrelë në krahë. “Është skandal, këtu nuk ka asgjë. Kur na sëmuret dikush ne i zbresim si dikur në krahë, me barrela. Unë personalisht kur kam pas një fëmijë sëmurë kam paguar 80 mijë lekë të vjetra jë makinë për të më zbritur deri në Tiranë” u shpreh një tjetër banorë.

Ai rrëfen më tej se ka nënën e moshuar në shtëpi dhe ka nevojë për dikë për ti bërë një serum apo një injeksion, por është thuajse një mision i pamundur. “Unë kam nënën e sëmurë dhe nuk ka kush të mi bëjë një injeksion, të mi bëjë një serum” u shpreh banori. Familje të tjera që po përballen me covid në këtë fshat u është dashur “të shpërngulen” provizorisht nga fshati.

“Ja një familje që jeton në kodër kishte një pjesëtar të familjes me covid që ishte me oksigjen. Ikën dritat dhe ata u detyruan të zhvendosen në bathore, tek një i afërm i tyre se atje kishte drita” u shpreh banori. Ndërsa gratë shtatzana të këtij fshati, ashtu si në shumë zona të thella, kur futen në muajin e 9-të udhëtojnë drejt Tiranës për të bujtur tek të afërmit e tyre.

“Unë kam lindur tre fëmijë dhe në të tre herët kam shkuar në tiranë dhe kam ëndruar një muaj, deri sa kam lindur fëmijën. Këtu nuk ka asgjë” u shpreh banorja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA