Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në podiumin e protestës së mbajtur para kryeministrisë kundër “Ballkanit të Hapur”, tha se kumbari i kësaj nisme është miliarderi amerikan, George Soros.
Sipas tij, pas Vuçiç qëndron influenca ruse e presidentit Vladimir Putin. Berisha i bëri thirrje SHBA-së që të ndalojnë mbajtjen e mbledhjeve të “Open Balkan”.
“Vuçiç ka ardhur këtu, nuk do të jesh zotëri kurrë i mirëpritur në Tiranë, jo sepse nordi yt është Moska, sepse prapa nismës tënde qëndron ideja e serbomadhisë, se pas nismës tënde qëndron përepjekja për të bërë këtë zonë influence kundër Putinit. Sot Serbia e Vuçiç edhe më shumë se ajo e Milklosheviçit është shndërruar në mall nga Rusia e vogël, që është rrezik për paqen dhe stabilitetin e Evropës. Shqiptarët nuk pajtohen kurrë, të kërkojnë falje dhe jo të mohojnë genocidin. Ata që i mohojnë ngelin në fazën e egërsisë njerëzore. Kjo protestë ka dimensione të shumta dhe në emër tuaj dua të deklaroj që Ballkani i hapur do të hidhet poshtë me të gjitha aktet sapo PD të jetë në pushtet. Treshja Vuciç dhe vasalët e tij përpiqen ta paraqesin edhe si politikë që e mbështesin edhe SHBA, është mashtrim. SHBA kanë qenë faktor paqe stabiliteti dhe janë, por dua të them që Ballkani i Hapur ka një kumbar dhe ai është multimiliarderi George Soros. Më lejoni t’u bëj thirrje SHBA që të ndalojnë çdo veprimtari politike që dublon. Edi Rama kreu i Meduzëz dhe ministrat e tij. këto 8 vite u vodhëm dhe plaçkitëm më shumë se sa qytetarët e tjerë të Evropës dhe botës”, tha Berisha.
Me këngën “It’s the final countdown” ish-kryeministri Sali Berisha, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe mbështetësit e tyre u pozicionuan për rreth dy orë para Kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit në protestën kundër “Ballkanit të Hapur”.
Takimi në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, që do të mbahet nesër në Tiranë, sipas ish-kryeministrit Berisha është një nismë dashakeqe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë raportohet se dyert e Kryeministrisë janë blinduar për të shmangur çdo lloj incidenti, ndërsa pranë saj qëndrojnë edhe makina ujëhedhëse.
Qindra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur për të mbështetur Berishën.
Mes tyre ishte një zotëri, i cili iu drejtua Berishës duke thënë: “Unë ty nuk të ndahem, do jem me ty. Ke shumë gjynahe po unë do ti marr bashkë me ty dhe ty nuk të ndahem.”
Rreth dy mijë forca policie janë të angazhuara, përveç Gardës së Republikës, për të siguruar që protesta të jetë paqësore dhe mos të përmbyllet me trazira.
Veç Berishës, mbajtën fjalën në podium edhe Aldo Bumçi, Melihate Termkolli, Bujar Nishani, Albana Vokshi, Belind Kellici, Edit Harxhi, Megi Balliu, Ylli Manjani dhe në fund Sali Berisha.
Top Channel