Serbia çeli një kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në konferencën ndërqeveritare, u hap kapitulli i i katërt, që ka të bëjë me politikën e transportit, energjisë, rrjeteve trans-europiane, mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike.

Duke folur në emër të BE-së, Sekretari slloven i shtetit, Gasper Dovzhan, e cilësoi këtë hap si sukses të Presidencës sllovene, hap i cili do të ndikojë në dinamiken e procesit negociator.

Ai tha megjithatë se pavarësisht përparimit të shënuar, Serbia duhet të bëj më shumë në reformat e sistemit të drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në proceset e brendshme të rasteve të krimeve të luftës.

Prej saj është kërkuar që të ketë rol konstruktiv edhe në dialogun me Kosovën e kjo “do të përcaktojë dinamiken e negociatave të anëtarësimit”.

Komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi e cilësoi hapjen e katër kapitujve në negociatat me Serbinë si “sinjal të rëndësishëm jo vetëm për këtë vend, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç u shpreh se vendi i saj pret së shpejti hapjen e kapitujve të tjerë.

Ajo paralajmëroi investime të mëdha të Serbisë në fushën e ruajtjes së mjedisit, një prej temave të përfshira në kapitujt e çelur së fundi.

Serbia tani rezulton të ketë hapur 22 nga 35 kapituj në procesin e negociatave me bllokun europian.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA