Tre ekipe duelojnë për mbijetesën, këtë javë luhet një tjetër sfidë direkte

13/12/2021 13:58

Kastrioti u rikthye te fitorja pas 2 muajsh pritje, një sukses i arritur përballë një kundërshtari direkt si Egnatia dhe në të njejtën kohë duke rihapur garën në zonën e mbijetesës. Kombinuar kjo edhe me humbjen e Skëndërbeut në Shkodër përballë Vllaznisë .

Tre skuadrat e fundit ndahen me vetëm tri pikë në klasifikim, me Kastriotin që mbetet në vendin e fundit me 8 pikë, ndërsa Skëndërbeu dhe Egnatia ndajnë vendin e 8 dhe të 9 me kuotë të barabartë pikësh, 11.

Shumë pak diferenca në renditje, ashtu si në të gjitha frontet, si në garën për titull kampion, apo edhe në zonën e Europës dhe tani edhe në zonën e mbijetesës.

Kastrioti u mjaftua me rrjetën e Ajazit për të mundur Egnatian dhe la pas ecurinë negative pas 7 ndeshjesh pa fitore në kampionat dhe në krahun tjetër duke e çuar në 8 numrin pa fitore te rrogozhinasit, të cilët dhe pse ndryshuan “timonier” nuk kanë arritur të bëjnë kthesë.

Egnatia nuk fiton në kampionat nga java e 5, në transfertën e Laçit dhe nga ai sukses, skuadra e promovuar në elitë, ka shijuar vetëm 3 pikë, fal tre barazimeve.

Skëndërbeu është skuadra tjetër, e cila për momentin po luan për mbijetesë, por në krahasim me dy rivalët e saj ka një tjetër formë në javët e fundit, pavarësisht se ndaj Vllaznisë doli pa pikë. Skuadra e Memelli ka arritur të fitojë ndaj Kukësit dhe gjithashtu ia doli për të marrë pikët e plota ndaj Egnatias në Korçë dy javë më parë.

Për momentin skuadra që ka humbur më shumë është Egnatia, pasi skuadra e Ramadanit, jo vetëm ka humbur recetën e fitores, por në dy ndeshjet e fundit, ka pësuar dy humbje ndaj dy rivalëve direkt.

Tani momenti dhe vëmendja e mbijetesës do të spostohet përsëri në Korçë, aty ku Skëndërbeu dhe Kastrioti do të luajnë një tjetër finale në zonën e mbijetesës, në javën e 14-të, ndërsa Egnatia do të luaj ndaj Laçit.supersport

Top Channel