Bizneset rrisin borxhet ndaj shtetit, nuk paguajnë tatimin mbi fitimin dhe sigurimet shoqërore Të ardhurat nga emigrantët kanë shënuar një rritje të konsiderueshme përgjatë vitit 2021. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, remitancat apo dërgesat që sjellin emigrantët te të afërmit e tyre në Shqipëri kanë arritur në fund të nëntëmujorit në 541 milionë euro.
Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur shumë vende europiane ku jetojnë e punojnë emigrantët shqiptarë kishin aplikuar masa të rrepta për menaxhimin e situatës së pandemisë, flukset hyrëse nga emigrantët kanë parë një rritje me gati 71 milionë euro më shumë.
Sipas statistikave, vetëm në tremujorin e të tretë prurjet valutore të emigrantëve përllogariten në 200 milionë euro, me rritje gati 1% në raport me tremujorin e vitit 2021.
Referuar bankës qendrore, përgjatë kësaj periudhe është vërejtur një rënie e lehtë e përdorimit të kanaleve formale për dërgesat nga emigrantët përmes sistemit bankar e rrugëve të tjera zyrtare, teksa janë rritur dërgesat në cash si pasojë e lëvizjes së emigrantëve me zbutjen e masave kufizuese.
Që prej vitit 2015 e deri në vitin 2019 para krizës së pandemisë niveli i remitancave ka parë një rritje të vazhdueshme duke reflektuar edhe emigracionin masiv të shqiptarëve përtej kufijve.
Në vitin 2020 dërgesat e emigrantëve pësuan një rënie dhe totali i tyre arriti në 637 milionë euro si pasojë e pandemisë covid-19, një dukuri e pritshme pakësimi i tyre i lajmëruar si nga autoritetet vendase ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore në raportet e saj për Shqipërinë.
Por, pas tkurrjes një vit më parë duket se me lehtësimin e masave nga vendet e huaja të ardhurat nga emigrantët vijuan sërish një trend në rritje ku me gjasa deri në fund të viti pritet të arrijnë nivelet e parakrizës.
Top Channel