Southampton sfidon Arsenalin në Londër, Hasenhuttl merr vendimin për Brojën

10/12/2021 17:46

Një gabim i portierit McCarthy i kushtoi dy pikë Southamptonit, që po kryesonte 1-0 ndaj Brightonit, por pësoi një gol në minutat e fundit shtesë dhe mori vetëm një barazim 1-1.

Armando Broja shënoi golin e vetëm për “shenjtorët” duke u dhënë avantazhin në pjesën e parë dhe pikërisht për këtë arsye, trajneri Ralf Hasenhuttl pritet t’i japë një tjetër shans si titullar, në përballjen e nesërme ndaj Arsenalit në “Emirates Stadium”.

Mediat pranë klubit bëjnë me dije se tekniku austriak ka provuar gjithë javën dyshen Broja-Che Adams në majë të sulmit, pasi pret sërish që bomber kuqezi të udhëheqë skuadrën dhe pse jo, të shënojë një tjetër gol.

Armando Broja ka shënuar tre gola në Premier League me Southamptonin, të treja në tre ndeshjet e vetme që ka nisur si titullar në “St Mary’s Stadium”, teksa tani Hasenhuttl është i bindur që ka ardhur koha që sulmuesi të lërë gjurmë edhe në transfertë.

Sa I përket portës, me dëmtimin e McCarthy-t, Southampton firmosi me urgjencë me argjentinasin Caballero, i cili pritet të luajë titullar ndaj Arsenalit, ndonëse ka muaj të tërë që nuk zbret në fushë.

Përballja Arsenal-Southampton starton në orën 16:00 në “Emirates Stadium” dhe do të transmetohet si zakonisht në ekranin e Supersport 4.

Top Channel