Gjykata vendos se Julian Assange mund të ekstradohet në SHBA për akuza spiunazhi (fotot)

10/12/2021 17:02

Julian Assange mund të ekstradohet për t’u përballur me akuzat e spiunazhit në SHBA, ka vendosur sot gjykata e lartë britanike, duke hedhur poshtë një vendim të kundërt në fillim të vitit.

Gruaja e themeluesit të rrjetit të demaskimit të abuzimeve të ushtrisë së SHBA, WikiLeaks, tha sot se do të apelojë vendimin, ndërsa grupi i të drejtave Amnesty International e quajti atë ‘tjetërsim i drejtësisë’.

Vendimi është një goditje ndaj përpjekjeve të Assange për të shmangur ekstradimin në SHBA i cili rrezikon atje të vendoset në kushte regjimi të ashpër izolimi e torture.

Gjykata britanike tha se bazonte vendimin e saj në garancitë e dhëna nga pala amerikane se i akuzuari nuk do të mbahej në regjim të rëndë para-gjyqësor, përveç rasteve kur kryen shkelje që i bën ato të nevojshme.

Por kritikët thonë se garancitë e SHBA nuk japin asnjë siguri.

Gjykatësi Lord Burnett tha: “Na janë ofruar garanci të kënaqshme të cilat ndikuan në vendimin tonë. Konkluzionet tona ishin të mjaftueshmë për të vendosur në favor të SHBA.”

Por e fejuara e Assange, Stella Moris, tha se vendimi i gjykatës ishte “i rrezikshëm e i pamatur” si dhe një “keqinterpretim i drejtësisë.”

“Si mund të jetë e drejtë kjo, të ekstradohet Julian tamam në vendin që komplotoi për vrasjen e tij?” tha ajo.

Çështja kundër 49-vjeçarit ka të bëjë me publikimet e rrjetit të tij WikiLeaks të miliona dokumenteve sekrete të ushtrisë së SHBA mbi abuzimet e ushtrisë në luftërat e Afganistanit e Irakut, si dhe të komunikimeve diplomatike në vitet 2010 e 2011.

Kreu i grupit të të drejtave Amnesty International për Evropën, Nils Muižnieks, tha: “Me vendimin e saj, gjykata ka pranuar garancitë thellësisht të paplota diplomatike se Assange nuk do të mbahet në izolim në një burg të sigurisë së lartë.”

“Nëse ekstradohet në SHBA Julian Assange do të gjykohet sipas Ligjit të Spiunazhit dhe rrezikon shkelje të rënda të të drejtave të njeriut që arrijnë deri në torturë”.

FOTO GALERI
3/3
Proteste para gjykates britanike

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA