“Po e shijoj shumë eksperiencën në Angli, është një çmenduri”, Broja: Dua të përmirësohem çdo ditë

08/12/2021 22:28

Armando Broja i kishte dhënë sinjalet në sezonin e kaluar teksa luante për Vitesse se ishte një lojtar me potencial të madh.

Sulmuesi ia doli të evidentohej në elitën holandeze duke shënuar 10 gola dhe jo më kot Chelsea i rinovoi kontratën dhe ruajti pronësinë e talentit të kombëtares shqiptare. Sakaq, blutë e Londrës menduan që në këtë sezon, 20-vjeçarin ta vendosnin para sprovës së radhës.

Huazim te Southampton, aty ku Brojës i duhej të tregonte se kishte brumin për të qenë një lojtar i Premier League. Rezultati?! Broja ka shënuar deri në këtë pikë të sezonit pesë gola, tre prej tyre në kampionat, ndërsa është shndërruar në lojtarin kryesor të “Shenjtorëve”. Deri më tani është një test i kaluar për shqiptarin, megjithatë vetë Broja në një intervistë të fundit për “Dailyecho”, thekson se ai e mban kokën ulur dhe se kërkon të përmirësohet çdo ditë, ndërsa shton se po e shijon shumë eksperiencën në Premier League.

“Po e shijoj shumë eksperiencën e këtij sezoni dhe deri tani ka qenë një çmenduri. Unë jam një lojtar i ri dhe është e mrekullueshme të kesh një shans për të shkëlqyer në Premier League, të kesh mundësinë të stërvitesh me lojtarë me eksperiencë dhe të bëhesh një futbollist më i mirë. Është një ëndërr e bërë realitet, po mundohem të përmirësohem çdo ditë dhe të mësoj më shumë.

Në Premier League ka gjithnjë shumë konkurrencë, është liga më e vështirë në botë. Edhe në organikën e skuadrës do të ketë gjithnjë konkurrencë, por nuk e kam problem. Unë do ta mbaj gjithnjë kokën ulur dhe do të mundohem të ndihmoj sa më shumë ekipin. Jam i lumtur për golin ndaj Brighton, por më kryesorja është rezultati që merr ekipi. Ishte për të ardhur keq që nuk morëm tre pikët. Ishte zhgënjyese që pësuam atë gol në fundin e ndeshjes”, u shpreh Broja.

Top Channel