NBA, nuk ka surpriza, fitojnë Chicago, Golden State e Phoenix

07/12/2021 12:18

Fitorja e 4-t radhazi për Chicago Bulls në NBA. Skuadra e drejtuar nga trajneri Billy Donovan mposhti me rezultatin 109-97 Denver Nuggets duke blinduar vendin e dytë në Konferencën e Lindjes.

Një sukses i merituar për Chicagon që edhe pse e pa veten në disavantazhin e 11 pikëve afër fundit të periodës së dytë arriti të përmbyste gjithçka duke regjistruar suksesin e 17-të sezonal, për meritë edhe të të përhershmit Zac LaVine autor i 32 pikëve ndërsa paraqitje të mira për ekipin nga Ilinois bëri edhe dyshja Lonzo Ball dhe Nikola Vucevic që shënuan nga 20 pikë secili ndërsa kontribuan edhe me nga 10 rebound dhe 4 e 2 asiste respektivisht.

U rikthye menjëherë te fitorja Phoenix Suns që kaloi me rezultatin 108-104 San Antonio Spurs. Për skuadrën nga Arizona në këtë sfidë spikatën më shumë Chris Paul me 21 pikë dhe Jamal Crowder me 19 pikë. 2 humbje në 3 ndeshjet e fundit ishin shumë për Golden State Warriors që bëri një paraqitje të shkëlqyer ndaj Orlando Magic duke triumfuar me rezultatin e thellë 126-95.

Stephen Curry ishte sërish më i miri mbi parket për skuadrën nga San Francisco me yllin e Golden State që shkëlqeu me 31 pikë 3 rebound e 7 asiste duke realizuar 7 goditje nga distanca për tre pikë.

Për Warriors kjo ishte fitorja e 20-të sezonale me skuadrën e trajnerit Steve Kerr që ka pësuar dhe 4 humbje dhe ndan vendin e parë në Perëndim me Phoenix Suns.

Buzëqeshën edhe kampionët në fuqi të Milwaukee Bucks që mposhtën me rezultatin 112-104 Cleveland Cavaliers në një sfidë ku greku Giannis Antetokounmpo u shfaq në superformë duke koleksionuar në total 27 pikë 12 rebound dhe 2 asiste. Për Bucks kjo ishte fitorja e 16-të në 25 ndeshje./supersport/

 

Top Channel