Bakaj “engjëll dhe djall”, Arapi feston fitoren e parë si trajner

07/12/2021 20:08

Dinamo dështon sërish, këtë herë në përballjen me Teutën në “Elbasan Arena”, ku u mposht me rezultatin minimal 0-1. Në një sfidë ku pritej reagimi pas humbjes së thellë në Laç, kryeqytetasit u “tradhtuan” edhe nga më i miri i javëve të fundit, Edvan Bakaj.

Gardiani shpëtoi 3-4 herë portën në pjesën e parë ndaj Teutës, por më pas bëri një grushtim katastrofal në fillim të pjesës së dytë dhe devijoi në rrjetë një krosim të ardhur nga këndi, duke u dhënë suksesin durrsakëve.

Kjo ishte fitorja e parë e Renato Arapit si trajner dhe njëkohësisht rikthimi te suksesi i Teutës, që nuk fitonte prej 6 ndeshjesh, ndërsa Dinamo merr humbjen e dytë radhazi dhe tregon se është ende shumë larg pritshmërive.

Dinamo-Teuta 0-1 Bakaj (ag) 51′ (Elbasan Arena SuperSport 3)

Kronika e ndeshjes:

90’+5 – Mbyllet ndeshja në “Elbasan Arena”, me fitoren minimale 0-1 të Teutës, që feston falë një autogoli të pafat të Edvan Bakajt.
90’+2′ – Sofranac harrohet në shtyllën e dytë dhe gjuan me kokë, por topi shkon ngjitur me shtyllën. Mundësi ideale për të barazuar për kryeqytetasit, që nuk ia dalin sërish.

77′ – Dinamo provon me Ibraimin, por goditja e kapitenit nuk gjen kuadratin e portierit Qirko…

77′ – Shkëmbi bën tjetër ndryshim. Largohet Mihana dhe hyn në fushë Patrik Bardhi.

74’ – Provon të kërcënojë sërish Teuta me një goditje dënimi, por tani del mirë Bakaj, që grushton topin dhe largon rrezikun.

51’ – Gooool. Teuta kalon në avantazh. Edvan Bakaj, që ishte më i miri për Dinamon, gabon në grushtim dhe devijon në rrjetë, një top të ardhur nga këndorja. Dinamo-Teuta 0-1

– Mbyllet pa gola pjesa e parë… gardiani Edvan Bakaj shpëton disa herë Dinamon…

29’ – Georgiev merr një top të mirë nga brenda zonës dhe provon sërish aftësitë e Bakajt, që grushton edhe njëherë, ndërsa më pas aksionin e vijon Lorenzo Vila, por diagonalja e tij përfundon jashtë kuadratit.

18’ – Duken qartë problemet në prapavijën e Dinamos, Pepi Georgiev niset i vetëm drejt portës së Bakajt, hyn në zonë dhe gjuan, por grushton mjaft mirë gardiani i “nëndetëses blu”, duke ruajtur të paprekur portën.

10 ‘ – Kërcënon sërish Teuta, këtë herë me Emiliano Vilën, që lëshon një goditje të rrezikshme nga distanca, por Bakaj bëhet sërish vendimtar, pasi devijon topin në këndore…

2′ – Kallaku hyn mirë në zonë dhe pasi driblon Sofranac, gjuan menjëherë, por topi pritet bukur nga Bakaj, që shpëton Dinamon nga një gol i sigurt.

– Starton sfida në “Elbasan Arena”
Formacionet zyrtare:
Dinamo (4-3-1-1): Bakaj; Maliqi, Sofranac, Imami, Isaevski; Demiri, Siljanovski, Samake; Ibraimi; Chinedu, Mihana
Teuta (4-2-3-1): Qirko; Idrizaj, Kotobelli, Ivanovic, Jackson; Aleksi, Acquah; Kallaku, L. Vila, E. Vila; Georgiev

Top Channel