Majlinda Kelmendi dekorohet me urdhrin “Shotë Galica” nga presidentja Osmani

06/12/2021 21:15

Me një ceremoni shtetërore, kampionia e Kosovës, Majlinda Kelmendi, më 6 dhjetor u largua nga xhudoja aktive.

Në ceremoninë e organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u tha se bota mësoi për Kosovën falë Majlinda Kelmendit.

Duke mos i përmbajtur lotët, vet Kelmendi tha se për gjithë suksesin e saj falënderimi më i madh i takon Kosovës.

Kam punuar shumë që mos të zhgënjej Kosovën e ta bëjë vendin krenar”, tha Kelmendi duke i falënderuar të gjithë për përkrahje përgjatë rrugëtimit të saj.

Në këtë ceremoni, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nderuar Majlinda Kelmendin me urdhrin “Shotë Galica”. Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi, por edhe luftuan për barazinë gjinore.

Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos, heroinë e Kosovës. Në tre dekadat e jetës së saj u bë fytyra e Kosovës së sotme”, tha presidentja Osmani gjatë fjalimit.

Presidentja Osmani përmendi edhe trajnerin e Majlinës, Toni Kukën dhe Agron Kukën, kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës duke i falënderuar për lartësimin e shtetit të Kosovës, raporton REL

Ndërkaq, Toni Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit e përshkroi atë si simbol të lirisë së fituar me shumë sakrifica.

Majlinda u bë personazhi cili u jepte shpresa njerëzve të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë”, tha Kuka.

Kelmendi konsiderohet gjerësisht si një nga garueset më të mëdha të xhudos dhe sportit në Kosovë në përgjithësi. Suksesi i saj më i madh ndodhi në Lojërat Olimpike “Rio 2016” kur fitoi medaljen e artë të parë Olimpike por edhe të parën për Kosovën.

Kelmendi u bë dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione e Evropës. Përgjatë karrierës, Kelmendi po ashtu fitoi katër herë titullin më garën e famshme të Grand Slamit të Parisit. Ishte xhudistja e shpallur më e mira në botë në vitin 2017.

Pas përfundimit të Lojërave Olimpike që këtë vit në korrik u mbajtën në Tokio, Majlinda Kelmendi kishte njoftuar tërheqjen nga sporti aktiv. Ajo përballej me shumë probleme fizike të cilat i pamundësuan edhe medalje në Tokio.

Pas tërheqjes nga sporti aktiv, Kelmendi do të vazhdojë punën si trajnere përkrah mentorit të saj, Driton Kuka.

Top Channel