Orges Shehi ka bindjen se kthesa e Tiranës pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë dhe dy rezultateve jo të mira ndaj Kukësit dhe Skënderbeut në kampionat do të vijë këtë fundjavë në Rrogozhinë ndaj Egnatias.
Në konferencën për shtyp trajneri i bardhebluve vlerësoi Egnatian që tashmë nuk drejtohet më nga Gugash Magani ndërsa komentoi edhe ecurinë e Tiranës si dhe foli edhe për gjendjen e ekipit.
Ndeshja ndaj Egnatias: “Përballemi me një skuadër që ka elementë cilësor brenda saj. Skuadër që ka vendosur në vështirësi çdo ekip, dhe po ta shihni ka shumë pak humbje, ecuri pozitive. Ndërrimi i trajnerit neve na bën konfuz sepse nuk e dimë sesi ata do të vendosen. Jemi të ndërgjegjshëm që na pret një ndeshje e vështirë.”
Ecuria: “Janë dy ndeshje që jemi të pakënaqur për shkak të pikëve që kemi marrë. Kemi marrë 5 fitore radhazi tani në dy sfida kemi 1 pikë. Do të përqendrohem dhe të vlerësojmë kundërshtarin.”
Dëmtimet dhe grupi: “Kemi mungesën e Xhixhës dhe të Përgjonit që na penalizon, është rikthyer Behiratçe. Grupi është i plotë, skuadrën e kam parë gjatë gjithë javës të mobilizuar për të bërë kthesën dhe për tu rikthyer te fitorja. Nuk mendoj vetëm diferencën me Kukësin, shumë skuadra të tjera kanë rikuperuar pikë dhe janë pranë.”
Kampionati: “Janë luajtur 10 ndeshje dhe na presin e 26 të tjera. Pas një fillimi jo të mirë, pas javës së të tretë kemi qenë dominues dhe kemi pasur distancë pikësh, por në kampionat këto gjera janë normale. E dimë që rruga është e gjatë, por na duhet përqendrimi. Ne do të donim që çdo ndeshje të merrnim maksimumin, kur merr maksimumin distanca është më se normale. Në futboll ndodhin gjëra të tilla, ndeshja me ndeshjen nuk ngjason, ka episode të ndryshme. Me Kukësin ishim pak më mirë se me Skënderbeun, edhe për shkak të kundërshtarit sepse Skënderbeu lë shumë pak hapësira dhe përqendrohet më shumë tek faza difensive. Me Kukësin e kemi humbur ndeshjen prej episodeve, ndërsa me Skënderbeun asnjë nga të dyja nuk kishte raste të pastra shënimi për të shkuar te fitorja.”
Realizimi i golave: “Pa shënuar nuk fitohet ndeshja. Ne jemi skuadër që ka shënuar 18 gola, jemi të parët në shënimin e golave, pothuajse çdo ndeshje kemi realizuar. Shpresojmë që nesër të shënojmë, jam i sigurt që raste do të ketë dhe shpresoj që të jemi në vazhdimësinë e sfidave të kaluara përveç duelit me Skënderbeun që nuk kemi shënuar gol.”, përfundoi trajneri i Tiranës Orges Shehi./ Supersport
Top Channel