Skuadra e Laçit ka arritur të triumfojë me rezultatin e thellë 5-0 përballë Dinamos. Sfida u luajt për javën e 11 në Abissnet Superiore.

Laçi mori fitoren e katërt sezonale. Dinamo në krahun tjetër, mori humbjen e katërt.

Pjesa e parë pati vetëm një gol. Sulmuesi nga Mali, Saliou Guindo, e dërgoi topin në rrjetë pas vetëm shtatë minutave lojë.

Në pjesën e dytë do të vinin edhe katër gola të tjerë për kurbinasit. Fillimisht, Besir Demiri do të shënonte autogol në minutën e 54. Gjashtë minuta më vonë, Juljan Shehu do të trefishonte rezultatin.

Goli i katërt do të vinte në minutën e 73 dhe autori ishte përsëri Guindo. Vetëm dy minuta pas golit të ish-lojtarit të Bylisit, do të vinte goli që do të vuloste shifrat në 5-0. Kësaj radhe ishte Regi Lushkja që do të ndëshkonte Dinamon.

Me fitoren e arritur, Laçi shkon në kuotën e 15 pikëve, në vendin e katërt në renditje. Dinamo qëndron në vendin e gjashtë me 13 pikë

Top Channel