Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në seancën plenare ka folur për ato që ai i quan skema mafioze të pastrimit të parave nëpërmjet ndërtimeve në kryeqytet, por jo vetëm.
Basha thekson se institucionet përgjegjëse që duhet të ndjekin paranë, janë paralizuar dhe për këtë arsye po prodhohet një ekonomi e droguar sipas tij.
Kreu i PD theksoi se për shkak të këtyre ndërtimeve, që sipas tij rrjedhin nga paratë e mafias, çmimet janë rritur në stratosferë dhe sot qytetarët në Tiranë paguajnë më shumë para për të blerë një shtëpisë seç mund të paguajnë në një kryeqytet të një vendi të zhvilluar të BE-së.
“Kur e gjithë ekonomia ndaloi, duke pësuar goditje edhe për shkak të paketave gjysmake që ju ofruat, çuditërisht ndërtimi pësoi një rritje të pashpjegueshme, me miliona metra katrorët beton të hedhura, jo të mbështetura në ekonominë reale, por në atë të zezë.
Dhe po aq çuditërisht, në një vend të varfëruar dhe të mpakur nga largimi i qindra-mijëra bashkëqytetareve tanë, ky shpërthim ndërtimesh nuk vepron sipas rregullave të ofertë-kërkesës. Sepse në vend që të ulë çmimin për metër katror, çmimi vetëm rritet.
Kjo prodhon një tjetër efekt negativ për shumicën e shqiptarëve që nuk fitojnë më shumë se 500 mijë lekë në muaj, sidomos familjet e reja, pamundësinë për të blerë një shtëpi me çmim të përballueshëm.
Sepse çmimin nuk e përcakton tregu, por korrupsioni, ryshfeti dhe paligjshmëria, pastrimi I parave tw pista, korrupsioni qeveritar dhe krimi I organizuar
Është ky karshillëk, që përbuz punën e ndershme, që përbuz mundin e burrave dhe grave të këtij vendi për të ndërtuar jetën e tyre këtu, me të cilin nxitet dhe ushqehet mosbesimi, apatia, dëshpërimi dhe në fund largimi nga vendi si e vetmja zgjidhje.
Ndërsa e gjithë kjo skemë mafioze vijon të veprojë, pavarësisht asaj që shohim me sy të lirë në qytetet tona dhe në bregdetin tonë, pavarësisht alarmit të ngritur nga partnerët ndërkombëtarë, nga organizatat, studiuesit, nga media vendase dhe e huaj, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk vë ujin në zjarr, nuk pyet, nuk heton, nuk monitoron këto leje ndërtimi që u jepen kompanive fantazmë, askush nuk ndjek paranë.
Kjo omertà institucionale, ky kod heshtje që është i mafies dhe subjekteve të saj, zbulon si fajtorë të gjithë ata që kanë detyrën të mos e lejojnë Shqipërinë të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë.
Nga ana tjetër mosveprimi dhe paraliza e institucioneve dhe e shtetit të kapur e shndërron atë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre.
Kjo omertà po prodhon një ekonomi të droguar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që prodhon një rritje fiktive në letër, pa vende pune, pa fuqi blerëse, pa mirëqenie përveç mishngrënësve të Nusretit dhe kryeministrit me avion privat qeveritar e një grushti oligarkësh.
Ju krekoseni me sukseset tuaja imagjinare, por në fakt kjo omertà gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te shteti dhe institucionet, që shihen sic në fakt janë kthyer në legjitimuese të krimit dhe korrupsionit që kryet për të gjeneruar këto para.
Fundi i kësaj omerta-je, e përsëris dhe do ta përsëris derisa SPAK qilimkuqit t’i dalin për së mbari kicat, pret që drejtësia të mos fshihet pas gishtit, por të hapë sytë.
Nuk është e vështirë. Mjafton të ndiqni paratë, mjafton një xhiro në këmbë në Tiranë, të ngrini kokën lart, e teksa ju merren mendtë nga katet që mezi numërohen, t’i shtroni vetes pyetjet që çdo qytetar i këtij vendi i bën vetes kur sheh që kullat mbijnë si kërpudhat pas shiut të parave të pista
Parave të pista që kjo qeveri lejon, e që heshtja e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera legjitimon, me hetimet që nisen e nuk bitisen”, u shpreh Basha.
Top Channel