Lionel Messi i ka dhënë lamtumirën e fundit babait të tij, Jorge Messi, në një ceremoni private dhe në rreth të ngushtë familjar, pranë qytetit të tij të lindjes, Rosario.

Jorge Messi ndërroi jetë një ditë më parë, në moshën 68-vjeçare. Për Lionel Messin, ai nuk ishte vetëm babai, por edhe njeriu që e mbështeti që në hapat e parë të karrierës, duke u bërë më pas edhe agjenti i tij.

Pas lajmit të trishtë, Messi u nis të shtunën nga Miami drejt Argjentinës me avion privat, së bashku me bashkëshorten Antonella Roccuzzo dhe tre fëmijët e tyre. Familja udhëtoi menjëherë drejt qytetit të Perezit, pranë Rosarios, ku u zhvillua ceremonia private. Ceremonia u mbajt larg syrit të publikut, me hyrjen në varreza të kufizuar rreptësisht. Të dielën rreth mesditës, automjetet nisën të largoheshin nga varrezat El Prado, duke sinjalizuar përfundimin e ceremonisë.

Por jashtë tyre, dhimbja e Messit ishte kthyer në një moment solidariteti. Që herët në mëngjes, në kangjellat e varrezave u shfaqën një fanellë me numrin 10, kurora me lule dhe mesazhe të shkruara nga tifozët: “Kurajo, Leo”, “Të duam” dhe “Kurajo, familja Messi”.

Mes njerëzve që udhëtuan për t’i qëndruar pranë ishte edhe 15-vjeçari Lucas Blanco. “Ai i ka dhënë kaq shumë gëzim këtij vendi. Tani është radha jonë t’i kthejmë pak nga kjo dhe ta ngushëllojmë”, tha ai. Ndërsa një çift nga Tres Arroyos kishte udhëtuar rreth 700 kilometra vetëm për të qenë pranë kapitenit të Argjentinës në momentin e tij më të vështirë.

Edhe shokët e skuadrës së Messit në kombëtaren argjentinase kishin shprehur dëshirën për t’i qëndruar pranë. Leandro Paredes, pas ndeshjes së Boca Juniors, tregoi se po diskutonte me lojtarët e tjerë mundësinë për të udhëtuar drejt Rosarios.

Për Messin, kjo ishte një lamtumirë shumë më e madhe se ajo e një babai. Jorge ishte pranë tij që në fillimet e rrugëtimit që e çoi nga Rosario drejt majave të futbollit botëror. Në ditën kur Leo nuk kishte nevojë për duartrokitje, trofe apo stadiume, ai gjeti vetëm heshtjen e një varreze dhe mbështetjen e njerëzve që donin t’i thoshin një fjalë të vetme:

“Kurajo, Leo.”

Top Channel