Nëna e Ardian Çapjas ndërron jetë, i dënuari me burgim të përjetshëm kërkon leje të lërë qelinë

09/08/2026 17:14

I dënuari me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja, aktualisht i burgosur në një institucion të sigurisë së lartë, ka kërkuar leje për të dalë nga burgu.

Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, nëna e Çapjas ka ndërruar jetë dhe ai ka kërkuar të jetë i pranishëm në ceremoninë e lamtumirës.

Deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar për kërkesën. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe masave të sigurisë që kërkon shoqërimi i tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar që në planin e masave të përfshihet edhe Policia e Shtetit.

Autoritetet po diskutojnë masat që do të ndërmerren në rast se Çapjas i miratohet kërkesa për të udhëtuar drejt Elbasanit.

Masat e sigurisë lidhen jo vetëm me faktin se Çapja është i burgosur i sigurisë së lartë, por edhe me nevojën për të garantuar sigurinë e tij gjatë lëvizjes dhe qëndrimit jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.

Vendimi përfundimtar pritet të merret pas vlerësimit të të gjitha masave të sigurisë dhe kushteve për shoqërimin e tij.

Top Channel