Në një kohë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiç ka rikthyer idenë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin serb.
Teksa inspektoi punimet e Urës së Vjetër Hekurudhore në Beograd, Vuçiç njoftoi se ka nisur puna në Ibër me ekspertë dhe inxhinierë.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Kemi arsye për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, tha Vuçiç.
Sipas presidentit serb, ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekziston që prej vitit 1985 dhe lidhet me nevojat e banorëve pranë liqenit. Ai pretendoi se një projekt i tillë mund të ndikojë edhe në uljen e nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit, nga i cili furnizohet me ujë Kosova. Presidenti serb u ndal edhe te prishja e objekteve pa leje pranë liqenit të Ujmanit, duke thënë se po i ndjek nga afër zhvillimet.
“Ne jemi një shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtij lloji, ndonjëherë të një lloji tjetër dhe, në përputhje me këto interesa, do të sillemi.
Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyeteni popullin tonë në Kosovë se te kush e shohin të vetmin mbrojtës, sepse unë i shoh shumë mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë.
Dhe është shumë e vështirë. Ndërsa, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, tha Vuçiç.
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re. Vuçiç e kishte përmendur edhe dy vite më parë, kur kishte mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Zubin-Potok. Nga lumi Ibër varet furnizimi me ujë në një pjesë të madhe të Kosovës, si dhe prodhimi i energjisë elektrike.
Top Channel