Barcelona, ultimatum Dembelesë për rinovimin e kontratës

01/12/2021 12:07

Barcelona dëshiron t’i japë fund sa më parë telenovelës “Dembele”. Sulmuesit anësor francez i përfundon kontrata më 30 qershor 2022 dhe, për rrjedhojë, që nga 1 janari, ai do të hyjë në gjashtë muajt e fundit të marrëdhënies së tij me klubin e Barçës.

Kjo do t’i lejojë atij të negociojë me çdo klub nga kjo datë, pa frikën se mund të shkelë ndonjë rregullore të FIFA-s.

Klubi i Barcelonës nuk dëshiron të arrijë në atë fazë. Në fakt, qëllimi i drejtuesve “blaugrana” duan të jenë të qartë se çfarë do të ndodhë me Ousmane Dembélénë para 15 dhjetorit. Kjo do të thotë se klubi i ka dhënë sulmuesit një ultimatum: ka dy javë kohë për të vendosur përfundimisht nëse dëshiron ose jo të pranojë ofertën e rinovimit që ka në tavolinë.

Në bisedat që po zhvillohen brenda me Dembélé, francezi lë të kuptohet se dëshiron të vazhdojë te Barça, se është i lumtur në ekip dhe në qytet. Por i njëjti disponibilitet nuk po shihet te përfaqësuesi i tij, Moussa Sissoko, që kërkon ta çojë klientin e tij te Manchester United ose Newcastle.

Nga klubi sqarohet se oferta e bërë për Dembélénë është shumë e mirë, në përputhje me rinovimet dhe afrimet më të fundit. Topi është në fushën e Dembélésë, të cilit po i mbaron koha për të vendosur.

Top Channel