Pse Topi i Artë nuk është vetëm një trofe futbolli…

30/11/2021 16:36

Topi i Artë është trofeu individual më i lakmuar nga çdo futbollist. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, çdo admirues i futbollit në të gjithë botën e pret me padurim fituesin e këtij çmimi. Kjo gjë ndodh çdo vit. Historia flet për mjeshtra të jashtëzakonshëm që bënin art me topin prej lëkure, por kurrë nuk e mbajtën atë të “Artin” në duar. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse çdo talent mendon për të, e adhuron madje edhe e ëndërron… Por kush është i pari që e prek “Atë”?

Topi i Artë është një vepër arti e familjes Mellerio, e cila prej 15 brezash prodhon bizhuteri për shtresat e pasura.

Që nga shekulli i 16-të, në vitin 1515, kjo familje krijoi një studio të vogël restaurimi dhe në vitin 1613 hapi kompaninë Mellerio dits Meller. Në vitin 1815, Mellerio e zhvendosi kompaninë në Paris.

Kjo familje ra për herë të parë në kontakt me sportin atëherë kur organizatorët e kampionatit të tenisit në Francë e porositën të prodhonte Coupe des Mousquetaires. Dhe që nga viti 1956, familja Mellerio ka bashkëpunuar me France Football, duke krijuar kështu edhe trofeun e Topit të Artë.

Në krijimin e “Topit të Artë” morën pjesë 11 persona. Pjesë e ekipit ishte një argjendar, një gdhendës dhe një person tjetër që lëmon topin. Asnjë shabllon i gatshëm nuk përdoret për ta realizuar atë. Në të gjitha rastet ekipi ndjek përmasat e caktuara (31 centimetra lartësi dhe 23 centimetra gjerësi), duke realizuar kështu edhe pamjen e tij. Çdo krijim duhet të jetë unik dhe Topi i Artë nuk del në shitje.

Ai përbëhet nga bronzi dhe jo nga ari. Argjendari i famshëm francez Francois Mellerio zbulon sekretet e prodhimit të tij.

Nevojiten me dhjetra orë punë për ta përfunduar atë krijim aq magjepsës, të cilin e adhuron çdo futbollist. Së pari, ai përbëhet nga dy gjysmësfera prej tunxhi, të cilat marrin formë duke i goditur me çekan nga ana e kundërt. Pastaj dy pjesët saldohen nga argjendari me pipëz saldimi. Pas tij e merr në dorë skalitësi, i cili e mbush topin me zift. Me daltë e çekiç, ai ndjek vijat e bëra me laps mbi sipërfaqen e lëmuar të metalit dhe formon qepjet e topit. Pasi mbaron punë, e heq ziftin nga topi dhe ia rikthen argjendarit për ta lëmuar dhe gdhendur logon e FIFA Ballon d’Or. Në fazën e fundit të procesit, trofeu zhytet në ar të shkrirë, para se të fiksohet mbi një bazë piriti. Gjithçka kap vlerën rreth 2100 ose 2200 euro. Shto këtu edhe 100 euro për shkak të gdhendjes që realizohet me laser pas shpalljes së fituesit”.

Ka pasur topa të artë të ndryshëm ndër vite, duke filluar nga viti 1956 deri në vitin 1983, çmimi ishte shumë më i vogël. Në vitin 1983, Michel Platini mori një çmim shumë më të madh se më parë.

“Topi i Artë” për vitin 2021 tashmë mbahet nga Lionel Messi. Tani, përgjigjja për pyetjen se pse Topi i Artë nuk është thjesht një trofe është, sepse para të gjitha statistikave që përshkruajnë fituesin e tij, ai mbetet një vepër arti unike, e veçantë dhe që është punuar i gjithi me dorë.

Top Channel