Haaland nuk kushton 75 mln euro, ja sa komisione duhet të paguajnë klubet e interesuara!

30/11/2021 13:25

Çmimi i Erling Haaland në merkato verën e ardhshme nuk do të jetë 75 milionë euro aq sa është klauzola e largimit të tij nga Borussia e Dortmundit që hyn në fuqi pikërisht në verë.

Sipas Cadena Ser të gjitha klubet e mëdha që duhet të bëjnë të tyrin bomberin norvegjez, përveç 75 milionë eurove që duhet t’i derdhin në arkat e Dortmundit, duhet të përgatisin edhe 60 milionë euro komisione nga të cilat, 40 do të shkojnë në xhepat e agjentit Mino Raiola dhe 20 milionë euro në duart e babait të Haaland, ish-futbollistit Alf-Inge Haaland që në karrierën e tij ka spikatur në Premier League me Notingham Forest, Leeds United dhe Manchester City-n ku në moshën 30-vjeçare pësoi një dëtmim të rëndë pas një ndërhyrjeje brutale të Roy Keane në derbin e Manchesterit dhe u detyrua të mbyllte para kohe karrierën./ SS

Top Channel