Faza e dytë nis ndaj Laçit, Vllaznia synon fitoren e radhës

27/11/2021 08:38

Faza e dytë për Vllazninë nis ndaj Laçi-t, të shtunën në “Loro Boriçi”, me sfidën që luhet në orën 19:45. Fitorja 3:1 ndaj Kastriotit në javën e fundit të fazës së parë, mund t’i shërbejë si pikë kthese shkodranëve të cilët për momentin kanë lënë pas ecurinë me tri javë pa fitore, 2 humbje dhe 1 barazim.

Në krahun tjetër është Laçi, kurbinasit janë një prej skuadrave më në formë të momentit, ku në pesë javët e fundit kanë koleksionuar 10 pikë, duke rikuperuar shumë në renditje dhe vjen pas barazimit 1-1 ndaj Partizanit. Është një fakt, që të dyja skuadrat përjetuan një fazë të parë me shumë ulje-ngritje, duke mos e krijuar ende identitetin e këtij sezoni, ndërsa tani, në fillimin e fazës së dytë, llogaritë kanë nisur dhe gabimet duhet të minimizohen.

Objektivi fitore është në të dyja kampet dhe kjo është e dallueshme për vetë renditjen, Vllaznia e cila qëndron në vendin e tretë me 13 pikë, ndërsa Laçi në vendin e 5 me 12 pikë, me një diference prej vetëm 1 pike midis skuadrave. Ndeshja e fazës së parë, e cila ishte dhe premiera e sezonit, dhuroi një spektakël të vërtetë, me plotë 8 gola, ku Vllaznia mori tri pikët e pare falë fitores 3:5.

Nga ajo sfidë shumë gjëra kanë ndryshuar. Laçi nga ai takim nuk ka shënuar asnjëherë më 3 gola në një ndeshje në kampionat, ndërsa Vllaznia vetëm ndaj Dinamos gjeti rrejtën 6 herë, por në javët e fundit vuajti shumë mungesën e golit. Ajo ça bie në sy është numri i lartë i golave të pësuar nga të dyja skuadrat, Vllaznia që ka pësuar 14, ndërsa Laçi 12, duke i renditur ekipet në mesin e 5 skuadrave me mbrojtjen më të dobët.

Por ana tjetër e medaljes është numri i golave të shënuar, Vllaznia ka sulmin e dytë më të mirë me 17 gola, 2 më pak se Tirana, ndërsa kurbinasit kanë sulmin e 4 më të mirë, me 12 gola të shënuar dhe nisur nga këto statistika në renditje, pritet të jetë një sfidë e hapur dhe që premton gola.

Në këtë sezon Vllaznia në shtëpi ka grumbulluar 7 pikë, 2 fitore ndaj Kastriotit dhe Dinamos, ndërsa është ndalur në një barazim ndaj Teutës dhe është mundur vetëm nga Tirana. Në krahun tjetër Laçi në transfertë ka koleksionuar 5 pikë, një fitore ndaj Kastriotit, 2 barazime me Partizanin dhe Dinamon, ndërsa është mundur vetëm nga Tirana.

Në tri ndeshjet e fundit, dy në kampionat dhe një në Kupë, Vllaznia i ka fituar të gjitha, ndërsa barazimi i fundit është regjistruar në 10 prillin e këtij viti, me sfidën që u mbyll pa gola, ndërsa kurbinasit për herë të fundit kanë fituar ndaj shkodranëve në 5 shkurtin e këtij viti, në transfertë me rezultatin 1-2.

Në 14 ndeshjet e fundit direkte janë shënuar 35 gola, me një mesatare 2.5 gola për ndeshje, ndërsa në total pothuajse gjithçka është e barabartë. Vllaznia kryeson lehtë me 24 fitore, kundrejt 22 të Laçit ndërsa vetëm 3 sfida janë ndarë në barazim dhe në total janë shënuar 128 gola, ndërsa diferencat janë të dukshme në “Loro Borici”. Në 24 takime në Shkodër, Vllaznia ka koleksionuar 16 fitore, 2 ndeshje në barazim dhe 6 fitore për Laçin./ SS

Top Channel