Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar këtë të shtunë Rrugën e Arbrit, ku po kryhen punimet e fundit para hapjes së këtij aksi rrugor për qarkullimin e automjeteve, i cili afron verilindjen e vendit me kryeqytetin.

Aksi do të hapet më datë 29 nëntor dhe hapja do të bëhet para afatit që është nënshkruar në kontratë, në mënyrë për të lehtësuar qarkullimin për periudhën e dimrit.

Duhet shumë kujdes nga ana e drejtuesve të automjeteve për kalimin në këtë aks pasi rruga është ende në punim e sipër.

Policia e Shtetit do të ketë një shërbim të shtuar dhe kontrolle të shtuara për të rritur edhe sigurinë në rrugë.

Po i jepet dora e fundit edhe sinjalistikës rrugore dhe deri ditën e nesërme do të jetë përfunduar gjithçka, por apeli qëndron për drejtuesit e mjeteve, të cilët duhet të tregojnë një kujdes ekstra, duke respektuar sinjalistikën dhe shpejtësinë në këtë aks.

Ministrja Belinda Balluku bëri të ditur se bypass-i pranë tunelit të Murizit do të mbyllet në rast se do të nisin reshjet e dëborës dhe do të përdoret rruga e vjetër, pasi është një rrugë provizore e ndërtuar deri në momentin që do të mbarojë ndërtimi i tunelit.

Top Channel