Pronari i njërës prej kompanive më të mëdha të transportit në Haskovë të Bullgarisë, Sebakhtin Ismail është i bindur se diçka e çuditshme ndodhi me autobusin e tragjedisë, ku humbën jetën 45 persona, shumica të rinj e fëmijë.
Ismaili tha për portalin bullgar “Haskovo” se është e pamundur që një autobus i tillë të digjet brenda një kohe aq të shkurtër.
“Të gjithë autobusët e prodhuar pas vitit 2018 dhe veçanërisht nga marka “Mercedes” kanë sisteme sigurie të integruara, ku përfshihet edhe instalimi i zjarrfikësve”, thotë ai, i cituar nga agjensia e lajmeve INA.
“Në rast zjarri autobusët e gjeneratës së re janë në mënyrë të tillë që flakët të shuhen vetë: bllokohet nga qarkullimi, aktivizohen frenat dhe dyert hapen automatikisht. Mjeti është i pajisur me kamera të jashtme që fotografojnë gjithçka në rrugë, duke përfshirë edhe tabelat. Nëse shoferin e zë gjumi, për shembull sedilja e tij fillon të dridhet dhe vetë automjeti reagon dhe kthehet në drejtimin e duhur”, shpjegon ai, ndërsa tregoi gjithashtu instalimin e zjarrfikësve në motor, daljet e sigurisë brenda autobusit, kamerat e kështu me radhë.
Ismaili e konsideron absurde që një autobus i tillë të marrë flakë ashtu e të digjet brenda një kohë kaq të shkurtër. Pas autopsisë u bë e qartë se nga përplasja nuk kishte viktima. Në fyt dhe në traken e viktimave është gjetur blozë, çka tregon se ata qene gjallë e merrnin frymë kur ka rënë zjarri. Vetëm 7 persona arritën ti shpëtonin ferrit të flakëve, duke u hedhur nga dritaret.
Top Channel