Ministrja Ibrahimaj: Nuk ka shpenzimet luksi në administrata! Ja çfarë synojmë me buxhetin 2022

25/11/2021 11:09

Kuvendi ka nisur seancën e sotme për shqyrtimin dhe miratimin e buxhetit të vitit 2022 dhe të paketës fiskale.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se shpenzimet e personalit në Shqipëri janë më të ulëta se në vendet e rajonit apo vendeve të BE, ndaj në buxhetin për vitin 2022 që pritet të miratohet do të shtohen disa punonjës publikë.

Ministrja ka folur edhe për aludimet e shpenzimeve të luksit nga ana e administratës, duke thënë se nuk është e vërtetë!

“Në shumë raste kemi diskutuar për shpenzime, ka pasur aludime për shpenzime luksi që nuk qëndrojnë. Më pëlqen të flas me shifra dhe jo aludime. Shpenzimet e personelit aktualisht në Shqipëri janë më të ulëta se në vendet e Rajonit. Dua të përmend disa raste, në Shqipëri janë 616 punonjës publikë për 10 mijë banorë, është më i ulët se sa ai i vendeve fqinje apo të vendeve të BE. Në buxhetin që pritet të miratohet sot kemi shtuar disa punonjës publikë, dhe këtu ka pasur debat. Ne shtojmë punonjës në drejtësi në auditimin e jashtëm dhe kemi nevojë. Perceptimi i shifrave të fryra është i gabuar dhe i tepërt.

Shpenzimet operative, është përmendur që janë shpenzime luksi të administratave, në fakt 40% shkon për mbështetje drejt fermerëve, për mirëmbajtje të IT, janë për mbrojtjen, për funksionimin e inst të drejtësisë, për policinë e shtetit. Këto aludime për shpenzime të luksit nuk qëndrojnë. Pjesa tjetër ka të bëjë me emergjencat civile, turzimin dhe shërbime esenciale për ofrimin e shërbimeve publike”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi se do reduktohen shpenzimet për subvencionet pasi synohet rritja e eficencës për sektorët që janë ineficentë, ndërsa liston edhe investimet që do të bëhen në sektorin e infrastrukturës, arsimit, turizmit, ujësjellësit, IT në shkolla etj.

“Do të reduktohen shpenzimet për subvencionet, do të synojmë rritjen e eficencës për sektorët që janë ineficentë. Ne mendojmë se politikat e zgjedhura janë ato të duhurat dhe do të na lejojnë të zgjerojmë investimin publik. Investimet publike do të jenë si në sektorin e rrugëve, turizmi, ujësjellësi, por do të kemi investime në infrastrukturat e IT të shkollave. Arsimi ka një shifër të konsiderueshme dhe kjo është më e larta se 10 vitet e fundit. Edhe Shëndetësia zë një peshë të rëndësishme. Ky buxhet do të mbështesë të gjithë shtresat në nevojë dhe investimet që të arrijmë një rritje të qëndrueshme”.

Top Channel