Britanik i kërkuar nga Interpoli arrestohet në Ekuador, akuzohet se vrau influenceren kolumbiane dhe fshehu trupin në valixhe Në teatrin “Migjeni” zhvillohen sot homazhet në nder të shkrimtarit dhe dramaturgut shkodran, Fadil Kraja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë, në moshën 91-vjeçare.
Të afërm, koleg e qytetarë shkodran kanë marrë pjesë në homazhe, ndërsa shprehen se Fadil Kraja ka lënë një trashëgimi të vyer për teatrin e Shkodrës dhe dramaturgjinë në Shqipëri.
“Iku nga kjo botë, por ai është prapë mes nesh, nuk besoj që të ketë ndonjë aktor që të mos i ketë veprat e tij në shtëpi. Shumë shpejt mund të vijë koha për një vënie apo rivënie në skenë. Sot është ditë e trishtë për qytetin dhe teatrin, por në fund të fundit sot kemi mundësi të kujtojmë vlerat e tij dhe çfarë ai na ka lënë. Ndihemi të pasur me gjithçka ia ka lënë për ne”, u shpreh aktorja Merita Smaja.
“Është një humbje e pazëvendësushme. Fadil Kraja ishte shumë për Shkodrën. Për mua ka qenë mësues, bashkëpunëtori, miku im. Na mbajti afër që në fëmijërinë tonë e gjatë gjithë rrugëtimit. Edhe tani që e kishte të pamundur të dilte, takimet në shtëpinë e tij ishin të veçanta”, shprehet kompozitori Zef Çoba.
Me nostalgji, ai kujton bisedat e fundit me artistin e ndjerë, që ishin të lidhura me krijimtarinë artistike:
“Në çantën time, janë dhe dy tekste të shkruara me dorën e bashkëshortes së Fadilit. Profesori ia thoshte fjalët dhe ajo i shkruante. Dhe këto tekste presin një ditë tingujt muzikor që ai m’i besoi që unë t’i hedh në pentagram. Edhe bisedat tona të fundit ishin për botën tonë krijuese. Ishte personalitet i kompletuar. Kishe kënaqësi kur dëgjoje dhe mësoje gjëra prej tij”.
Krijimtaria dhe emri i Fadil Krajës lidhen ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku kontribuoi prej 60 vitesh. Ai është nderuar me titujt “Kalorësi i urdhrit së Skënderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “ Krenaria e Qytetit”.
Veprat e Krajës janë luajtur e vazhdojnë të luhen nga trupat teatrale të Kosovës, por edhe të Diasporës e të qyteteve të ndryshme në Shqipëri.
Fillimet e para në krijimtari datojnë në moshë të re. Vëllimi i parë poetik “Kënga ime” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë.
Kraja ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme te shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes tyre përmenden: “Fisheku në pajë”, i cili vetëm në Shkodër u shfaq rreth 500 herë,
“Nata e fundit”, si dhe shumë drama për fëmijë, skenare filmash, librete operash dhe operetash.
Homazhet për këtë figurë të shquar zhvillohen nesër me datë 19 , nga ora 9-12, në hollin e teatrit “Migjeni”.
Top Channel