“E vrava! Ç’të bëj, më shau”/ Gazetarja Anila Hoxha zbardh detaje të reja: Autori i krimit kërkonte bashkë me policinë dhe familjarët

17/11/2021 21:28

Një fëmijë 8-vjeçar, krejtësisht i pafajshëm, ka munguar mëngjesin e kësaj të mërkure në Shkollë. Mateo Vasiu duhej të ulej në bankën e tij, si çdo ditë, por 38-vjeçari Klodian Çalameni i ndërpreu atij jetën në mes, pa e filluar akoma.

Ky ishte fati i keq i një engjëlli të vogël, por që fatkeqësisht jetonte në të njëjtën lagje me vrasësin e tij, Klodian Çalamani, i cili i mori jetën duke e goditur pas koke e më pas e ka groposur pas shtëpisë së tij.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e prekur nga ngjarja makabre,  ka treguar mbrëmjen e sotme në ‘Open’ detaje nga dita e ngjarjes së rëndë që tronditi mbarë opinion publik.

Ajo u shpreh se pamjet në kamerat e sigurisë, që janë siguruar ekskluzivisht nga gazetarja, kanë qenë të orës 11:00 të ditës së djeshme, pamje që erdhën edhe në ndihmë të policisë.

Ka qenë vëllai i Mateos, i cili lajmëroi të ëmën se Mateo nuk gjendej gjëkundi dhe më pas nëna e viktimës ka bërë denoncimin në polici, ndërsa këta të fundit kanë nisur menjëherë punën!

Ajo që bën përshtypje në gjithë këtë histori ka qenë fakti se autori ka shfaqur të njëjtin ‘interes’ si gjithë banorët e tjerë të fshatit për të gjetur djalin, ndërsa ndodhej nën efektin e alkoolit.

Anila Hoxha: Kamera e sigurisë është në orën 11 të ditës së ditshme, në 14 e 30 njoftohet nga i biri që Mateo nuk ishte në shtëpi, ajo njofton policinë, këto janë të dhënat zyrtare të policisë, policia reagon menjëherë dhe zbarkon në fshat. Nisin kontrollet, dhe mes tyre ishte në gjendje të alkoolizuar është shfaqur njësoj i interesuar për gjetjen e Mateos si gjithë të tjerët (referuar autorit të krimit). Mateo ra në kurthin e Çalamanit.

Në dëshminë e tij, Çalamni ka qenë tërësisht i ftohtë, ndërsa fjalët e tij të vetme kanë qenë ‘çfarë të bëj unë, më shau”.

Anila Hoxha: Po kështu e përshkruajnë, “U bë kjo, dënim me vdekje nuk ka, çfarë të bëj unë, më shau”, kjo ka qenë gjithë deklarata e tij.

Top Channel