“Çohu Mateo!”/ 8-vjeçari që u vra nga fqinji i rrezikshëm në Fier përcillet në banesën e fundit mes lotësh e dhimbjesh

17/11/2021 11:08

Mateo 8-vjeçar nuk shkoi në shkollë sot si gjithë moshatarët e tij, por u përcoll për në banesën e fundit mes lotësh dhe dhimbjesh nga familjarë, shokë dhe qytetarë të Fierit.

Ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik, pamjet e publikuara tregojnë qytetarë me lule në duar, të përlotur që shoqërojnë kortezhin e të ndjerit për në banesën e fundit. Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin edhe deputeti Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

Vogëlushi u rrëmbye dhe më pas u vra një ditë më parë në fshatin Grecalli të Fierit nga fqinji i tij Klodian Çalamani.

Banorët e prekur janë shprehur se autori ka qenë problematik, ndërsa kërkojnë dënimin më të rëndë për të deri në varje në mes të Fierit.

Ata janë shprehur se nuk ndihen të sigurt pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, duke dhënë detaje edhe për jetën që bënte  autori.

“Si nuk ndihemi të pasigurt, unë kam nip vetë, ai duhet ta varësh në litar, nuk diskutohet ai muhabet, është makabër”, tha një banor.

“Ai është rritur jetim, i ati e la të vogël, e ëma u martua në Maqedoni, ai ishte tek buka, kush e merrte në punë, ne nuk flasim dot më shumë, Sali Berisha e bëri një gjë të mirë që vari ata nga Libofsha, i mori jetën 8-vjeçarit, për çfarë duhet më ai, nëse bën llogari një i burgosur ha kaq lekë në muaj, që unë si konsumoj dot, ata e dënuan por nuk ka ligj”, tha një tjetër.

“Të gjithë janë të korruptuar, ta djegin me benzinë, të vihet ligji, ai e vret birin e botës dhe të vjen tek shpia e të shantazhon”, tha një tjetër banor.

Për familjarët ka qenë një dhimbje e papërshkrueshme, ndërsa halla e tij, në gjendje jo të mirë i thërret që të çohet dhe të vdesë ajo në vend të vogëlushit, ndërsa arkivoli ecën drejt varrezave.

Si ndodhi ngjarja?

Një ditë më parë Fieri u trondit nga grabitja dhe vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga Klodian Çalamani. Në lidhje me ngjarjen u arrestua nga Policia e Fierit, Klodian Çalamani, pasi 8-vjeçari është parë nga banorët e lagjes duke bërë xhiro me biçikletën e tij. Kjo ka hedhur dyshime tek policia, e cila menjëherë ka nisur hetimet.

8-vjeçari Mateo Vasiu dhe buqeta me lule në bankën e shkollës

Vetëm pak minuta më vonë është arritur të ndalohet 38-vjeçari Klodian Calameni, i cili e pranoi vrasjen dhe tregoi se e kishte groposur trupin në oborrin e shtëpisë. Rrethanat e këtij akti makabër janë ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e dëshmisë së autorit.

Kush është Klodian Çalamani?

Klodian Çalameni

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo jo pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës në vitin 2009.

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat tha sot se dënimi me vdekje nuk kthehet edhe për çështje kaq të rënda.

Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë sa më shpejt ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier një ditë më parë, ku u vra 8-vjeçari Mateo Vasiu dhe të jepet masa më ekstreme që parashikon ligji në vend për autorin Klodian Çalamani.

Rama theksoi se vendi ynë ka legjislacionin më të ashpër dhe se dënimi me vdekje nuk i eviton këto ngjarje të rënda.

Ndërsa deputeti Taulant Balla u shpreh se institucionet në Fier do t’u vijnë në ndihmë familjarëve të viktimës dhe se bashkia ka në dispozicion ndihmë financiare për ta.

Këtë mesditë, administrata e bashkisë së Fierit, mësues dhe nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe punonjës të institucioneve të ndryshme kanë mbajtur një minutë heshtje për 8-vjeçarin si dhe kanë ndezur qiri para bashkisë.

FOTO GALERI
9/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA