“Alo, alo” që trembin grekët/ Telefonatat mashtruese nga Shqipëria vënë në alarm Greqinë 

15/11/2021 12:29

Qindra persona kanë denoncuar te mediet apo te Qendra e Mbrojtjes së Konsumatorit, fenomenin e telefonatave nga jashtë Greqisë drejt qytetarëve të ndryshëm grekë, një prej temave kryesore në mediet e shtypit dhe ato televizive.

Janë telefonata që sipas numrave duket sikur kryhen kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar, por dhe nga Franca, Italia, Ukraina, Rusia dhe Austria.

Ka shumë raste që bie telefoni dhe shikon që është nga Mbretëria e Bashkuar, Rusia apo Ukraina . Nuk duhet të përgjigjesh sepse janë telefonata të çuditshme, mund të hyjnë në celularin tënd dhe të kenë akses në llogaritë bankare duke të bërë keq.

Po, na marrin vazhdimisht, por unë nuk përgjigjem”, thotë një qytetar.

Në shumë raste dëgjohen nga ana tjetër e telefonit me një greqishte të pastër apo edhe të cunguar, ftesa për investime në programe financiare kriptovalute tepër fitimprurëse.Por synimi kryesor i tyre është të nxjerrin informacione personale dhe të kenë akses në llogaritë bankare, me viktimat që përfundimisht bien në grackë, duke parë zhdukjen e kursimeve apo shifra të larta në faturën e llogarisë telefonike.

Konsumatorët duhet të dinë një gjë: Produktet e investimeve në investime në kriptovaluta janë tepër të sintetizuara, nuk janë produkte që mund t’i blesh nga një telefonatë.

Lajmi se SPAK është përfshirë në një hetim për mashtrim mbi tregtinë elektronike për plot 13 call center-a në Shqipëri është transmetuar edhe nga mediet greke, të cilat duke sjellë shqetësimin e konsumatorëve, kërkojnë edhe mbrojtjen e tyre nga kompanitë e telefonisë celulare, por ende asgjë nuk është bërë për të parandaluar këtë fenomen shqetësues qe ka marrë përmasat e epidemisë.

Top Channel