I dyshuar për falsifikimin e dokumenteve që liruan Viktor Ymerin, ish-shefi i sektorit në burgun e Peqinit mohon akuzat

13/11/2021 11:44

Ish-shefi i sektorit Ligjor në burgun e Peqinit, Gani Shehu, i cili ndodhet aktualisht nën arrest për veprën penale të falsifikimit të kartelës së punës në burg për Viktor Ymerin ka mohuar akuzat, duke i hedhur fajin drejtorit të burgut.

Shehu ka mohuar akuzën duke theksuar se nuk ka bërë asnjë falsifikim për të dënuarin.

“Kam qenë përgjegjës i Sektorit Juridik në burg dhe me është kërkuar informacion nga avokati i Viktor Ymerit për kohën dhe Sektorin përkatës në IEVP. Në praktikën tonë kontaktonim nga telefonit i zyrës me atë të shefit të policisë. Pasi më dha të dhënat shefi i policisë për të dënuarit Viktor Ymeri dhe Luftar Reci kam konceptuar shkresën dhe ia kam dërguar drejtorit. Drejtori e ka firmosur dhe vulosur dhe ia kam dhënë avokates. S’kam bërë falsifikim dokumentesh”, tha Shehu.

Kjo është e dyta herë që Gani Shehu  arrestohet pasi më 30 shtator u prangos se ndihmoi një të dënuar tjetër që po bënte përpjekjet për t’u liruar nga burgu, me të njëjtën skemë.

Kush është Viktor Ymeri?

Viktor Ymeri njihet ndryshe edhe si “I forti i Vlorës”, i cili bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës.

Pasi vuajti dënimin Ymeri u lirua nga burgu në vitin 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të vitit 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-ën, të Vajdin Lame dhe Klodian Saliut.

Ymeri është shpallur fajtor si një ndër autorët e kësaj vrasje.

Për këtë ngjarje ai dyshohet të ketë tentuar që të përfitojë nga skema e mashtrimit me kartelën e përgatitur nga dy zyrtarët e burgut të Peqinit që u arrestuan së fundmi.

Top Channel