Vëllimin ‘Mutacionet’, një përmbledhje mbresëlënëse prej shtatë tregimesh dhe një poezi, Francis Kirps e ka ndërtuar në bazë të lidhjeve ndërtekstuale me vepra të shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore.

Këto rrëfime të fuqishme, të shpalosura me shkathtësi, shndërrohen kështu në histori të reja, të pavarura, të bartura tërësisht me zërin dhe fuqinë imagjinare të Francis Kirpsit.

Miza e shtëpisë Leon Sumsa zgjohet një mëngjes e shndërruar në një “vertebror të përbindshëm”, domethënë në një qenie njerëzore, çka të sjell ndër mend ‘Metamorfozën’ e Kafkës. ‘Luani’ i satirës së Kurt Tucholskyt (Luani është lëshuar) kthehet te Kirpsi në një ari polar që shëtit nëpër Berlin.

Modeli i statujës së Venerës së ishullit të Prosper Merimesë punon si skllave në një “ndërmarrje” të lashtë romake, e ngritur mbi paralele mbresëlënëse me botën e punës në ditët tona. Anekdota nga lufta e fundit prusiane, e Heinrich von Kleistit, zhvendoset në të ardhmen, teksa katër njerëzit e fundit janë në luftë me njëri-tjetrin.

Ndërsa Thirrja e ariut të madh e Ingeborg Bachmannit ndërthuret me mitin e Ktulhuit të Lovecraftit, për të krijuar një frymë poetike si ajo e Gottfried Bennit.

Francis Krips ka fituar çmimin europian të letërsisë vitin e shkuar dhe shtëpia botuese “Dituria” nuk ka humbur kohë për t’ia prezantuar lexuesit shqiptar.

Top Channel