Tre familjarët përfunduan në spital me djegie trupore nga shpërthimi i një bombole gazi, detajet e para

05/11/2021 12:40
Foto ilustruese

Detaje të reja janë zbuluar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Voskopojë, ku mbetën të lënduar tre persona.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se e zonja e shtëpisë, ku edhe ndodhi shpërthimi, ka dashur të provojë kaldajën me gas dhe në momentin që e ka hapur i ka shpërthyer.

Dy shtetasit e tjerë të cilët mbetën të plagosur në këtë aksident, janë të afërmit e saj, të cilët kishin shkuar për ta ndihmuar në arredimin e shtëpisë dhe janë gjendur afër në momentin e shpërthimit.

Këta dy të fundit kanë marrë dëmtime nëpër duar, ndërsa e zonja e shtëpisë mësohet të ketë pësuar djegie në fytyrë.

“Më datë 05.11.2021, rreth orës 11:20, në Spitalin e Korçës kanë shkuar me djegie trupore, si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi shtetasit F. L., rreth 63 vjeç, banues në fshatin Goskovë, K. B., rreth 30 vjeç, banues në fshatin Voskop dhe shtetasja A. N., banuese në Voskopojë, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Nga të dhënat e para, rezulton se shtetasit e mësipërm (familjarë me njëri-tjetrin) kanë qenë në fshatin Voskopojë, në banesën e shtetases A. N., në momentin kur ka shërthyer bombola e gazit”, njoftoi policia më herët.

Top Channel