“Shpëtuam elitën e Afganistanit”/ Me ndihmën e “Vital Voices” 1 mijë afganë u strehuan në Shqipëri

05/11/2021 19:56

Në Shqipëri që prej 27 Gushtit e deri më sot janë strehuar 2300 qytetarë afganë. 1000 prej tyre u nxorën nga Afganistani me ndihmën e organizatës Vital Voices (Zërat Vital) që mbështetet nga ish zonja e parë Hillary Klinton.

Alyse Nelson presidente dhe drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate thotë për Top Channel se  ndodhet në Tiranë, për tu takuar e biseduar me afganët e strehuar në vendin tonë.

Alyse Nelson: Jam e lumtur të jem këtu e ta shikoj nga afër bujarinë e popullit shqiptarë, qeverisë tuaj për të pranuar kaq shumë udhëheqës,  bashkë me familjet e tyre,  nga fusha të ndryshme në Afganistan. Vital Voices u bashkua në një koalicion me universitetin George Town, gratë udhëheqëse afgane, në identifikimin e atyre që ishin në rrezik. Për ta ishte traumatike të linin Afganistanin dhe ne jemi duke i ndihmuar. Qeveria juaj është treguar fantastike,  me ndihën shëndetësore, edukimin dhe me gjithçka ata kanë nevojë. Këta njerëz janë ajka e shoqërisë afgane. Ne i quajmë udhëheqës të Afganistanit.

Presidentja e Vital Voices na tregon se cila do të jetë e ardhmja për afganët në Shqipëri.

Alyse Nelson: Shumë prej tyre shpresojnë një ditë të kthehen në Afganistan. Ne nuk duam që rrjedhja e trurit në atë vend të thellohet. Për sa i përket strehimit afat gjatë të tyre po shikojmë për ti dërguar në USA pasi atje kanë të afërm. Po punojmë edhe me qeverinë e Kanadasë. Ka edhe nga ata që duan të qëndrojnë në Shqipëri. Është tërësisht në dorën e tyre ku duan të shkojnë.

Alyse Nelson flet edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme të Hillari Klinton në misionin e shpëtimit të afganëve

Alyse Nelson: Hillari në këtë ka një përfshirje të thellë me udhëheqëset  gra të Afganistanit. Ka qenë atje e takuar me to. Nëse ajo tani do ishte ulur përballë jush do ju thoshte se këto gra nuk janë viktima. Janë udhëheqëse. Ajo që ato duan është solidaritet. Hillari është inspirimi ynë pasi është një lidere e cila i bën gjërat pa zhurmë, nuk kërkon lavdi, nuk kërkon mbulim mediatik. Në këtë rast gjëja e duhur ishte evakuimi atyre që ndihmuan qeverinë amerikane. Hillari Klinton ka qenë jashtëzakonisht mbështetëse e këtyre përpjekjeve.

Top Channel