Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019.

Ky vendim vjen pas opinionit të marrë nga Komisioni i Venecias për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese pritet që të shpallë brenda dy javëve vendimin e arsyetuar për rrëzimin e kësaj kërkese.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit 2019 u bojkotuan nga opozita.

Një vendim i tillë, i certifikon këto zgjedhje, duke i hapur rrugën më pas vendimmarrjes së Presidentit Ilir Meta për 6 bashkitë që janë pa kryetar.

Pas shpalljes së vendimit të arsyetuar dhe njoftimit nga KQZ, Meta duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë Shkodër, Lushnjë, Dibër, Durrës, Rrogozhinë dhe Vorë.

Kujtojmë se Shoqata e Bashkive e kryesuar nga Voltana Ademi kërkoi në 2019 shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Njoftimi:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies,

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Top Channel