Nga Katari te SHBA: Sa kushton organizimi i një Kupe Bote? Shifrat marramendëse që ndryshuan futbollin
Donald Trump mund të mos jetë i pranishëm në ndeshjen e parë të Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës, ku ekipi vendas do të përballet me Paraguajin.
Të paktën, ai ende nuk e ka konfirmuar qartë pjesëmarrjen e tij në këtë takim hapës për amerikanët. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, do të jetë shefi i diplomacisë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ai që do të ndjekë nga afër ndeshjen e së premtes në Los Anxhelos. Përveç Rubios, delegacioni qeveritar do të përbëhet edhe nga Ministri i Transporteve, Sean Duffy, dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin.
“Kupa e Botës shënon një moment kthese për administratën Trump, duke nxjerrë në pah lidershipin dhe mikpritjen amerikane para një publiku global, pikërisht në kohën kur vendi po feston përvjetorin e tij të 250-të,” u shpreh në një komunikatë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
SHBA-ja luan të premten kundër Paraguajit, duke hapur kështu siparin e ndeshjeve në tokën amerikane për këtë Botëror të vitit 2026, i cili bashkëorganizohet me Meksikën dhe Kanadanë. Në margjinat e kësaj ngjarjeje sportive, Sekretari amerikan i Shtetit pritet të zhvillojë edhe një takim dypalësh me presidentin e Paraguajit, Santiago Pena, një aleat i ngushtë i Uashingtonit. Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara bëjnë pjesë në Grupin D së bashku me Paraguajin, Turqinë dhe Australinë.
“Do të shkoj, do të shkoj”
Megjithatë, Donald Trump, i cili e ka cilësuar këtë turne si “Kupën e Botës më të suksesshme në histori” (pavarësisht polemikave të shumta para fillimit të saj), ka shprehur qëllimin e tij për të ndjekur kampionatin. “Do të shkoj, do të shkoj,” iu përgjigj ai nga Zyra Ovale një gazetari të AFP-së kur u pyet nëse planifikon të ndjekë një ose më shumë ndeshje, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo ngjarje sportive zhvillohet nën hijen e tensioneve të lidhura me politikën e rreptë amerikane kundër imigracionit, e cila ka si një ndër arkitektët e saj pikërisht Marco Rubion. Këto politika kanë ngjallur shqetësime te shumë tifozë që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, por që i tremben kontrolleve të ashpra nga policia amerikane e imigracionit (ICE).
Top Channel