Ushtria amerikane “mobilizohet”: Nuk lejojmë Kinën të shtypë dominimin tonë në Paqësor!

01/11/2021 11:48

Forca ushtarake në rritje e Kinës dhe përpjekjet e saj për t’i dhënë fund mbizotërimit të Amerikës në Azi-Paqësorin po trondisin sistemin e mbrojtjes së SHBA-së.

Zyrtarët amerikanë janë vënë në lëvizje. Ata po e shohin se problemet janë duke u grumbulluar shpejt në shumë fronte – arsenali bërthamor në zgjerim i Pekinit, përparimet e tij në hapësirë, teknologjitë kibernetike dhe raketore si dhe kërcënimet ndaj Tajvanit.

“Ritmi me të cilin po lëviz Kina është befasues,” thotë gjenerali John Hyten, i cili më parë ka komanduar forcat bërthamore të SHBA dhe ka mbiqkyrur operacionet hapësinore të Forcave Ajrore amerikane. Në lojë, është një ndryshim i mundshëm i balancës globale të fuqisë që ka favorizuar Shtetet e Bashkuara për dekada.

Një riorganizim më i favorshëm për Kinën nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara, por mund të komplikojë aleancat e SHBA-së në Azi.

Shenjat e se Pentagoni po e merr seriozisht sfidën mund të shfaqen më qartë javët e ardhshme, me rishikimin e politikave të administratës Biden mbi armët bërthamore, bazat globale të trupave dhe strategjinë e përgjithshme të mbrojtjes. Shembulli i fundit i shpejtësisë me të cilën po lëviz Kina ishte arma e saj hipersonike, e aftë të rrotullohej pjesërisht rreth Tokës përpara se të hynte përsëri në atmosferë e të kthehej në një rrugë të manovrueshme drejt objektivit të saj.

Top Channel