Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të premte deklaroi se Shqipëria, në raport me zbatimin e ligjit, pas tetë vitesh qeverisje nga socialistët, krahasohet vetëm me Afganistanin, Angolën apo vendet e tjera diktatoriale.
Nga Lezha, në “Foltoren” e fundit, Berisha theksoi se në tetë vite pushtet, Edi Rama ndërtoi narko-shtetin, në krye të të cilit, qëndron me lidhjet e tij kriminale duke qeverisur me banda dhe krimin.
Ai tha se kryeministri ka krijuar një gjendje, të cilin nuk e ka sot asnjë shtet Evropian, duke e vendosur Shqipërinë në raport me zbatimin e ligjit me Afganistanin e talebanëve, me Angolën dhe vende të tjera diktatoriale.
“Këto 8 vite Edi Rama ka mjeruar shqiptarët. Demokracia dhe tregu nuk varfërojnë qytetarët, demokracia dhe tregu në ligjin e tyre të natyrshëm i përmirësojnë jetën qytetarëve. Vitet 2005-2013 varfëria ekstreme u ul 4 herë, rrogat dhe pensionet e shqiptarëve u rritën dhe bënë që ne të dalim në krye të vendeve të rajonit. Në 8 vitet e shkuara ne ndërtuam 11 mijë km rrugë, 1300 shkolla, kopshte dhe objekte arsimore, qindra ujësjellës kanalizime. Në këto 8 vite, çfarë është realizuar? Rrogat dhe pensionet janë 30% më të ulëta për shkak të inflacionit se në 2013. Janë ndërtuar 34 km autostrada. Fliste sot për ujësjellës se janë vjedhur 1 mld euro dhe nuk është ndërtuar asgjë. Edhe ai që inauguroi mbi malet e Krujës po helmon qytetarët se nuk merret vesh si e ka ndërtuar.Në 8 vite asnjë investitor madhor i huaj nuk erdhi në Shqipëri, përkundrazi u larguan disa prej tyre. Në 8 vite Shqipëria u ngjit në çatinë e botës së korrupsionit”, tha Berisha.
Ish-kryeministrit tha se Edi Rama i ka mbyllur derën integrimit të Shqipërisë. Kurse për nismën Ballkani i Hapur, ai u shpreh se e kanë rrethuar Kosovën dhe duan ta zhdukin.
“Në këto 8 vite e mbylli rrugën e Evropës, me murin e krimit dhe të drogës dhe me politikën me shndërrimin e Shqipërisë në një vasale të Beogradit. Edi Rama pas Jorgos Zografit dhe Enver Hoxhës është tradhtar i kombit shqiptar me Beogradin dhe Shkupin ka rrethuar Kosovën me klika armiqësore që kanë synim vetëm zhdukjen e saj”, deklaroi Berisha.
Top Channel