Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli e ftuar sot në emisionin Top Talk në Top Channel, ka shprehur mbështetje në lëvizjen e krijuar nga lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

Ajo tha se kryedemokratit, Lulzim Basha i ka ikur ushtria, ndërsa me Berishën është rikthyer baza e PD-së.

Topalli e ka komentuar foltoren në qytete të ndryshme të vendit si ringjallje të Partisë Demokratike.

“Bashës i ka ikur ushtria e tij nuk guxon të dalë nga pallati i mermertë për të bërë një deklaratë që e ka përsëritur me veten, ndërkohë në anën tjetër është rikthyer baza. Thonë se kemi qenë në gjumë, nëse s’do ktheheshin, do kishim një opozitë farsë. Cila do të ishte e ardhmja e vendit tonë. Nuk do e quaja berishizëm sjelljen e Bashës. Në kohën e Berishës nuk ka ndodhur që të digjen mandatet”, tha Topalli.

Topalli ka shprehur kritika të ashpra ndaj Bashës, të cilit sipas saj i intereson vetëm ambicia financiare në postin që është dhe as partia e as qytetarët.

“Nuk e di çfarë mendon ai se vula që ka mbajtur i ka shërbyer mirë targetit të tij të parë që është ambicia financiare”, tha ish-kryeparlamentarja.

Shpallja ‘non grata’ e Berishës, duket se nuk ka ndikuar tek Topalli, e cila theksoi se i intereson vetëm ringjallja dhe ringritja e Partisë Demokratike.

“Më intereson që ka një lëvizje, një ringritje një ringjallje të shpresës”, tha ajo.

Pas dëbimit nga Grupi Parlamentar i PD-së, tashmë është një luftë e hapur mes Berishës dhe Bashës. Nga njëra anë Basha është rikthyer me opozitën në Kuvend, nga ana tjetër Berisha ka ndërmarrë një tur nëpër qytete të ndryshme të vendit për të rikthyer parimet bazë të PD-së dhe kundërshtuar aleancën e krijuar Rama-Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA