Personi i dyshuar për vrasjen e pesë personave në një sulm në Norvegji ishte konvertuar në islam dhe policia ishte e shqetësuar për shenjat e radikalizimit të tij, deklaroi shefi i policisë rajonale, Ole Bredrup Saeverud.

Policia kishte pohuar më herët se i dyshuari për vrasjet me shigjeta në qytetin Kongsberg është një shtetas danez 37-vjeçar. Autoritetet besojnë se ai ka vepruar i vetëm dhe do të hetojë nëse sulmi ishte një akt terrorizmi.

Gjatë sulmit u plagosën edhe dy pjesëtarë të policisë dhe një oficer që ishte jashtë detyrës. Incidenti ndodhi në vende të ndryshme të qytetit që gjendet 68 kilometra në jugperëndim të Oslos. Autori i ngjarjes duket se nuk kishte shënjestra të përcaktuara, por goditi kalimtarë të rastit. Kryeministrja, Erna Solberg tha se raportet për incidentin ishin “tmerruese”.

“Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë frikë, por është e rëndësishme të theksohet se policia tani e ka gjendjen nën kontroll”, u shpreh ajo. Episodi në Kongsberg rikujtoi sulmin e tmerrshëm terrorist që ka ndodhur në këtë vend dhjetë vite më parë.

Më 22 korrik 2011, terroristi me orientime djathtas Anders Behring Breivik aktivizoi një bombë të fshehur në një furgon të bardhë në afërsi të qeverisë në Oslo duke vrarë tetë persona, e më pas, në ishullin Utoja, ai hapi zjarr kundër pjesëmarrësve të një manifestimit të të rinjve të Partisë punëtore socialdemokrate e vrau 69 vetë.

Top Channel