Tepsi bosh me flamurin shqiptar, lugë e pankarta/ Protestuesit japin mesazhe të forta kundër rritjes së çmimeve

11/10/2021 18:55

Reshjet e dendura të shiut nuk ndaluan dot qytetarët dhe aktivistët e Shoqërisë Civile të protestojnë pas rritjes së çmimeve të produkteve dhe karburanteve, këtë të hënë para Kryeministrisë.

Ata sërish kanë bërë fajtor qeverinë për rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve të tjera.

Disa prej tyre kanë zgjedhur të marrin me vete tepsi bosh me flamurin shqiptar të ngjitur me lugë, duke nënkuptuar se shqiptarët me rritjen e çmimit nuk do të munden të përballojnë produktet jetësore.

Disa prej tyre janë shprehur se rrogat janë të ulëta, kurse çmimet vetëm rriten, duke sjellë probleme me përballimin e jetesës.

“Për shkak të rritjes së çmimeve, çdo muaj djali im s’do të ketë një libër të ri, ato lekë do të shkojnë për miell. për oriz për qumësht, çdo muaj, do mungojë kujdesi shëndetësor, ulni taksat”, tha një qytetar.

Ndërsa, një i moshuar e ka quajtur kryekriminel kryeministrin Edi Rama.

“Mafia e Edi Ramës, krye hajduti, kryekrimineli, armiku i demokracisë, ai na pushtoi vendin me para të pista, me drogë pa masë, vrau, duke i futur në burgje për dy gramë drogë. Ky është Edi Rama, njeriu më i poshtër, më mafiozi i popullit shqiptar”, tha i moshuari.

Kjo është protesta e dytë e mbajtur në Tiranë kundër rritjes së çmimeve dhe energjisë elektrike.

Është e paqartë nëse do të ketë protestë nesër apo të hënën, pasi në megafon u dhanë informacione të ndryshme. Një qytetar tha se protesta e radhës do të jetë të hënën e ardhshme për shkak të shiut, ndërsa aktivisti Ervin Goci u shpreh se do të vijojë në mënyrë intensive.

FOTO GALERI
4/20

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA