Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Kuvend i ka kërkuar kryedemokratit, Lulzim Basha që mos të bëhet pjesë e llogaritjeve, pasi nuk është i zoti.
Teksa ka komentuar taksën për qarkullimin, Balla tha se Basha ka qenë i pranishëm në momentin që kjo taksë është votuar për herë të parë.
‘Dua që sa herë të flitet në këtë foltore të jemi të sinqertë. Basha e quajti taksën e qarkullimit ‘taksa Rama’. Kemi qenë të dy së bashku kur kjo taksë është votuar për herë të parë, vendosja e taksës së qarkullimit brenda çmimit të karburantit. Ish-ministri juaj Bode argumentonte se ishte mënyra e vetme për të mbledhur këtë taksë. Bode erdhi asokohe që kjo të futej në çmimin e karburantit. U bë 17 jo 24 siç thotë Luli. Dhe Lulit i them mos hyj te shifrat se je Zot na ruaj. Pra është e vetmja mënyrë për ta mbledhur këtë taksë’- tha Balla.
Po ashtu Balla foli edhe për TVSH-në 6% të propozuar nga opozita, duke shtuar se këtë e kanë provuar edhe vendet përreth dhe ka rezultuar se kanë fituar vetëm tregtarët dhe asnjë ulje tek qytetarët e thjeshtë.
Fjala e plotë:
E rëndësishme është që të gjithë e kemi mbështetur sot këtë Akt normativ dhe i kemi dhënë “Ok” të gjithë së bashku qeverisë të vazhdojë zbatimin e një kontrate, prej së cilës përfitojnë të gjitha ata që na kanë sjellë në këtë sallë, qofshin votues të majtë apo të djathtë.
90% e deputetëve e kanë kryer vaksinimin dhe nëse do të kishim arritur që e gjithë shoqëria shqiptare ose popullata +18 do ishte në nivelin e 90 % të vaksinimit, ne do të ishim një vend që nuk do të kishim më asnjë masë të sjelljes ndaj Covid, por do ishim njësoj si Norvergjia apo Danimarka, që i kanë hequr të gjitha kufizimet.
Unë mendoj se mesazhi që jep sot kjo seancë është që në fund të fundit, partitë politike i tejkalojnë debatet e tyre kur bëhet fjalë për një çështje sikurse është kjo betejë. Padyshim nuancat e thëna në këtë sallë, nuk e prishin atë mesazh që unë besoj, se ne do t’i japim çdo qytetari.
Vaksinimi është e vetmja mënyrë që shoqëritë kanë sot në të gjithë botën për t’ju kundërvënë këtij armiku të padukshëm.
Nëse i referohemi shembujve negativë në këtë rajon, rasti i Rumanisë është një prej shembujve ku niveli i ulët i vaksinimit të popullatës ka sjellë 14 mijë infektime në ditë dhe 350 jetë të humbura në ditë.
Reagimi në momentin e duhur, që nga 9 marsi 2020 kur u morën masat e para, pavarësisht se reagimi juaj i atyre ditëve nuk ishte reagimi i duhur, koha ka treguar se masat që janë marrë nga qeveria janë të duhurat. Nuk ka aspak vërtetësi në tabelat që u valëvitën në sallë nga deputetët e opozitës pasi ne nuk jemi në fund, jemi diku në mesataren e vendeve rreth nesh sa i përket vaksinimit. Shqipëria ka vaksinuar 44% të popullsisë me një dozë dhe 36% me dy doza. Ky është një nivel i kënaqshëm.
Pyetja që shtrohet dhe mund të kishte debat është: A i kemi ofruar ne çdo qytetari mundësinë e vaksinës falas?
Besoj biem dakord, që asnjë qytetari, nuk i është refuzuar vaksina.
Basha, unë apo kushdo tjetër kemi shkuar në qendrat e vaksinimit dhe kemi bërë vaksinën me zgjedhje të lirë të llojit të vaksinës.
Me Astrazeneca-n ju si grup parlamentar duhet të kërkoni falje publike, se kur filloi vaksinimi i mësuesëve, përhapët gjithë atë histori të tmerrshme, duke trembur të gjithë mësuesit përmes përçimit të “fake neës’”. Ajo që është më e rëndësishme, është që sot jemi në këto kushte.
Sot përmes kësaj seance ne duhet ti çojmë një mesazh kujtdo që na dëgjon dhe ti themi: Bëj vaksinën.
Sa për patronazhimin, bujrum ta përdorim patronazhimin, e dashur Albana Vokshi, edhe për t’i thënë njerëzve vaksinohuni. Edhe ju keni bërë patronazhim në partinë tuaj. Trokitje derë më derë për të votuar e quajnë amerikanët, të cilët edhe e kanë shpikur.
Shkoni lajmëroni anëtarët e partisë suaj që ka ndryshuar qëndrimi i Partisë Demokratike përkundrejt Astrazenecas dhe Pfizerit, sepse vaksinimi është e vetmja mundësi që kemi për t’u përballur.
Uroj që kjo seancë e sotme dhe votimi Pro të ketë patur impakt pozitiv.
Meqenëse kam edhe pak minuta në dispozicion, dua të them se sa herë të flitet në këtë foltore të jemi të sinqertë për gjërat që themi dhe emërtimet që bëjmë. Z. Basha e quajti taksën e qarkullimit taksa Rama.
Basha dhe unë, të dy kemi qenë në sallë kur kjo taksë është votuar për herë të parë. Pra, vendosja e taksës së qarkullimit brenda çmimit të karburantit ishte i vetmi instrument ,që ish-miku juaj Ridvan Bode, argumentonte në këtë foltore, si mënyra e vetme për të mbledhur një taksë që paguhej në pikat e kolaudimit të automjetit.
Z.Bode me të drejtë argumentonte se qarkullonin në rrugë shumë makina, që nuk e paguanin këtë taksë. Z. Bode erdhi me propozimin që kjo taksë të futej në çmimin e karburantit. Pra kjo taksë është vendosur atëherë dhe është e vetmja mënyrë për ta mbledhur këtë taksë dhe për ta administruar. Rekomandimi im ndaj Lulit është që të mos hyjë në shifra, se me shifrat ai është “Zot na ruaj”.
U tha këtu që të shkojmë tek propozimi i TVSH 6% për ushqimet. Është provuar nga vendet përreth ky propozim dhe asnjë ulje të çmimeve nuk ka pasur. Vetëm kanë përfituar tregtarët, asnjë ulje tek qytetarët e thjeshtë. Mendoj se është e padrejtë që ne ta bëjmë 6% TVSH-në e vezës, sheqerit, edhe për oligarkun edhe për qytetarin e thjeshtë. Është më mirë që oligarku të vazhdojë ta paguajë dhe ne nga ana tjetër ti japim qytetarit të thjeshtë mundësinë që të përballojë çmimin. E njëjta gjë është edhe subvencionimi i energjisë. Një pjesë e juaja nuk e dinë që ne subvencionojmë sot energji për më shumë se 68 000 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, për më shumë se 6834 familje, të cilët kanë persona me aftësi të kufizuar, për rreth 12000 të tjerë persona me aftësi të kufizuar ku përfshihen edhe të verbërit dhe pensionistë.
Nëse Basha propozon që ne t’i subvencionojmë energjinë elektrike oligarkut ku shfrytëzon vilën, mendoj se nuk e kemi këtë komoditet sot. Ky është një propozim i juaji. Ju këtë propozim e keni bërë në fushatën zgjedhore zotërinj. Qytetarët nuk e pranuan këtë propozim.
Ne kemi një moment tjetër në jetën tonë parlamentare, që është diskutimi për Paketën fiskale dhe Buxhetin e shtetit, ku natyrshëm ju jeni të mirëpritur të vini me propozimet tuaja. Megjithëse ka një rregull të pashkruar në të gjithë parlamentet, që kur diskutohet Paketa fiskale dhe Buxheti votimi është tejet politik. Mazhoranca do të vijojë të zbatojë programin e vet për të cilin është votuar. Natyrshëm opozita duhet të nxjerrë propozimet e veta, ti sjellë në Parlament dhe nëse ndonjëra prej tyre realisht ka vlerë, ta marrim në konsideratë.
Edhe pse ne duam të kemi një fazë të re bashkëpunimi me opozitën, me propozimet e sotme më vjen keq t’ju them se asnjëri prej tyre nuk merret dot në konsideratë.
Megjithatë nuk e fsheh dhe gjej rastin t’iu falenderoj për mbështetjen që i dhatë këtij akti të sotëm normativ dhe kësaj marrëveshje.
Faleminderit!
Top Channel