‘Koka’ e grupit të trafikut të drogës/ Apeli dënon me 15 vite burg në mungesë Domart Konjarin

07/10/2021 12:29
I dënuari Domart Konjari

Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 15 vite burg Domart Konjarin, i akuzuar për trafik kokaine dhe heroine në krye të një grupi kriminal.

Konjari është fajtor për një sërë akuzash që përfshihen “Krijim, organizim dhe drejtim organizate kriminale”; “ Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave, vizave” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Konjari është gjykuar në mungesë. Në vitin 2016 ai u kthye në mollë sherri mes Shqipërisë dhe Francës, pasi në Francë ai kërkohej për trafik kokaine dhe ishte dënuar me 10 vjet.

Ai u paraqit në kufi me pasaportën false me emrin Arben Lazri, pas konfirmimit  u arrestua, por një vendim gjyqësor e liroi dhe Konjari u arratis.

Edhe pse duhet të shlyejë 15 vite brenda burgut të sigurisë së lartë, Konjari endet akoma i lirë.

Domart Konjari

Kush është Domart Konjari?

Për më shumë se katër muaj, Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana mbajtën peng procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit si trafikant droge, nën gjykim tek Krimet e Rënda, por që gjatë kërkimeve nuk iu gjet asnjë gjurmë se ku fshihej.

Pesë seanca gjyqësore u zvarritën njëra pas tjetrës gjatë fundvitit 2017, me përgjigjen negative të autoriteteve se Domart Konjari nuk gjendej.

I vetmi që ulej ngjitur kafazit bosh është avokati i tij, që e mbronte ndaj akuzave, më e lehta ajo e tentativës për të korruptuar një polic kufitar, më e rënda ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Pavarësisht se në Francë kërkohej si një i dënuar me 10 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge dhe organizatë kriminale, i vetmi moment kur policia shqiptare ra në gjurmët e tij ishte në një pikë kufitare me Greqinë, kur 45-vjeçari kaloi me identitet të rreme.

I prezantuar si Arben Lazri, ajo që e tradhtoi ishte tentativa e tij për të paguar me 50 euro një efektiv policie. Ajo që ndodhi më pas është historia e zakonshme gjyqësore në Shqipëri.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e liroi duke i dhënë masën detyrim paraqitje. Që prej 2016, Domart Konjari vijon të jetë në kërkim.

Pas kësaj pati reagime të forta edhe nga ambasadori i Francës, që akuzoi se po sabotohej puna e autoriteteve franceze, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi falje në emër të gjykatave shqiptare.

Ndërkohë, policia thoshdte se gjatë hetimeve paraprake për zbardhjen e ngjarjes, në banesën e 41-vjeçarit Devi Kasmit ka gjetur dhe sekuestruar 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.

Më 18 tetor të 2019-ës, Konjari i shpëtoi një atentati me eksploziv.

Në rrugën “Ramazan Bogandi”, pranë ish frigoriferit në Tiranë, iu vu një sasi eksplozivi një automjeti tip “Benz” që rezultonte të ishte në pronësi të Artion Bylykut,kunatit të Konjarit.

Shënjestra nuk ishte Bylyku, por Domart Konjari. Kushërinjtë Jamaku, ishin porositur nga Flor Abazi, Blendi Deda dhe Paris Deda, për eleminimin fizik të Konjarit. Të tre porositësit, u arrestuan në datën 1 prill të 2021-shit, pasi ishin pjesë e grupit të strukturuar për modifikimin dhe shitjen e armëve, me 18 baza në Tiranë.

Detajet e kësaj ngjarjeje dolën në dritë, pas deklarimeve në prokurori të të arrestuarit Enver Jamaku, i cili së bashku me kushëririn e tij Ermond Jamakun, kryen atentatin  e dështuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA