Strategjia e Re Kombëtare për Rininë/ Rama bashkëbisedon me të rinjtë: Po bëjmë çmos që të sjellim universitete të huaja në Shqipëri

05/10/2021 17:05

Kryeministri Edi Rama ka bashkëbiseduar me të rinjtë në shkollën “Ismail Qemali” në Tiranë për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Strategjia e re kombëtare, në bashkëpunim me të rinjtë do të prodhojë një dokument pune dhe angazhime konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.

Në fjalën e tij, Rama tha: Unë erdha sot me shumë kënaqësi dhe realisht pasi kam dëgjuar me vëmendje shumicën tuaj që morën fjalën, më vjen shumë mirë që erdha sepse është gjëja e duhur, por edhe sepse është një dëgjesë shumë nxitëse që të ve në mendime lidhur me gjëra që mund të duken të vogla, por që në jetën e përditshme të çdo nxënësi kanë peshën e tyre.

Ky është një proces që Bora e ka filluar si Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në funksion të Strategjisë Kombëtare për Rininë për të bërë një dokument, i cili ndryshe siç është zakonisht rasti i këtyre lloj dokumenteve, të jetë reflektim i aspiratave dhe propozimeve të atyre, të cilëve në fakt strategjia u adresohet.

Nga ana tjetër, përtej strategjisë, që është një dokument me një horizont disavjeçar, ky proces na vlen shumë edhe për të kuptuar dhe adresuar çështje imediate ose çështje që mund të adresohen në afat të mesëm. Natyrisht që do ishte mirë që të përfshiheshin sa më shumë nxënës. Edhe kjo përfshirje nuk është e vogël pasi ne kemi ardhur këtu dhe këtu janë përfaqësues nga 3 gjimnaze të ndryshme.

Plani i Borës është që çdo gjimnaz të ketë përfaqësuesit e vet në këtë bashkëbisedim që do vazhdojë disa muaj, në mënyrë që të preken të gjithë gjimnazet e Shqipërisë, por do ishte mirë që disa prej jush këtu, të gjithë akoma më mirë, por nuk besoj se do t’i interesonte të gjithëve të merren me këtë punë, por disa prej jush këtu të angazhoheshin për ta shtrirë më tutje këtë bashkëbisedim, duke u bërë vjelës të mendimit edhe shokëve dhe shoqeve që nuk janë këtu të pranishëm për të na i përcjellë më pas ne. Kushdo prej jush që është i interesuar të përfshihet në këtë, do ishte mirë të shkëmbente me Borën kontaktet, në mënyrë që për gjimnazet tuaja, ju të ishit si pikë referimi për të mbledhur akoma më shumë mendime dhe nga ana tjetër, për të mos mbetur vetëm në nivelin e një bisede që është shumë e mirë, por që nuk mjafton pasi edhe ju vetë, pas bisedës, do keni reflektimet tuaja, mund të ketë diçka që nuk ju ka ardhur në mend sot në këtë moment e ju vjen në mend më vonë, e me radhë.

Do ishte mire që bashkëbisedimi të vazhdonte në një nivel tjetër, me shkrim, dhe ky ushtrim që po bëjmë këtu ne sot për të shkruar gjërat më prioritare sipas secilit prej jush për sot dhe nesër, sikur të shtrihej dhe të tjerët, do na krijonte një sens më të qartë të mbështetjes, nga pikëpamja numerike, e një çështje apo një cështje tjetër. Cilat janë realisht prioritetet që përfshijnë interesimin dhe kërkesën e shumë nxënësve dhe cilat prioritete që përfshijnë kërkesën dhe interesimin e më pak nxënësve, pavarësisht se mund të jetë dhe një person i vetëm që ka një ide dhe ajo ide mund të jetë shumë e vlefshme për të gjithë, nuk është e thënë që të ketë mbështetjen e shumicës.

E dyta që dua t’ju them, se nuk dua t’ju marr më shumë kohë, sepse keni një kohë të gjatë që po flisni dhe po qëndroni këtu dhe ju falënderoj për këtë, është që disa prej pikave që u prekën më duket se janë  shumë sensitive dhe shumë të domosdoshme për t’u adresuar me shpejtësi, por në disa prej tyre më vjen mirë që ne kemi vendosur objektivat tona edhe në programin e ri të qeverisë, duke filluar nga domosdoshmëria për ta transformuar krejtësisht mësimin e informatikës. Jam 100% dakord me ata të cilët e sollën këtu në vëmendje faktin që laboratorët e informatikës, edhe aty ku janë, edhe aty ku kanë mjete, lënë shumë për të dëshiruar, jo vetëm nga pikëpamja e aksesit në ato mjete nga të gjithë nxënësit, por edhe nga pikëpamja e cilësisë së dhënies së mësimit.

Nga ana tjetër, është absolutisht e pakuptueshme që informatika të bëhet teorike dhe praktikisht të mos jepen dijet që i shoqërojnë teoritë në nivelin praktik. Faktikisht, nxënësi që i merr ato dije mund t’i përsërisë ato përmendësh, por nuk ka mësuar informatikë dhe nuk është në gjendje që të përdorë kompjuterin as për nevojat e veta e jo më për të bërë më shumë se kaq.

Fatmirësisht, teknologjia avancon çdo ditë, kështu që, besoj se plani që kemi për t’i rivitalizuar komplet hapësirat e mësimit të informatikës do jetë efikas dhe do e vëmë në jetë, me siguri, duke filluar nga viti i ardhshëm, shpresoj më shpejt sesa fillimi vitit tjetër shkollor, por gjithsesi në fillimin e vitit tjetër shkollor i gjithë rrjeti i mësimit të informatikës duam që të jetë komplet i transformuar.

E treta, ajo që u tha këtu lidhur me laboratorët është shumë e rëndësishme. Ne kemi bërë shumë investime për infrastrukturën shkollore, kemi bërë investime për laboratorët, por ajo që më shqetëson është që njësoj siç ndodh me klasat e informatikës, bëhet investimi i parë, blihen ato kompjuterët që vendosen aty për momentin e parë dhe pastaj vazhdimësia nuk garantohet.

E dëgjova nga dy, tre këtu që në laboratorët e kimisë apo laboratorë të tjerë, materialet për të vazhduar punën praktike në mënyrë konstante dhe të pandërprerë mungojnë. Kjo është përsëri problem i madh sepse librat që ju merrni janë libra që përsëri e tha dikush prej jush shumë qartë, bazohen në një tjetër qasje në ndryshim nga librat që jepeshin dikur dhe si të tillë, janë libra që janë shumë të lidhur me orët e praktikës. Nëse ajo që ato libra shkruajnë dhe ajo që mësohet prej atyre librave teorikisht, nuk kombinohet me orët e praktikës ashtu siç duhet, me të njëjtën cilësi siç janë tekstet e Cambridge dhe Oxford, atëherë problemi bëhet serioz.

 E katërta, çështja e këshillimit të karrierës është problem shumë i mprehtë dhe edhe për këtë më vjen shumë mirë që nuk është thjesht një konstatim nga larg, por është një shqetësim që e dëgjova tek shumica prej jush dhe patjetër do të duhet të veprojmë e do duhet që të gjejmë rrugët e duhura për ta bërë sa më atraktiv. Nuk është thjesht çështja për të pasur pika referimi në shkollë që këshillojnë karrierën, por ta bëjmë atraktiv se ka shumë rëndësi që procesi i këshillimit të jetë një proces që i rrit nxënësve interesin për të eksploruar veten, në raport me ato që dëgjon dhe për të dëgjuar sa më shumë rreth drejtimeve të mundshme të karrierës.

Po ashtu pjesa ekstra kurrikulare në këndvështrimin tim është shumë e dobët në shkollat tona. Është si thelë mbi bisht, është punë angari dhe është një boshllëk i rëndësishëm në aspektin e formimit të nxënësve si qytetarë dhe si personalitete, përtej faktit që formohen nga pikëpamja e dijeve si nxënës.

Në këtë aspekt, ne kemi idenë që duhet të fuqizojmë shumë programin e arteve e të zejeve, por në një sens shumë më të gjerë sesa thjeshtë piktura, vizatimi, muzika, teatri, për të shkuar tek realisht krijimi i mundësive –  e tha një vajzë e më duket, vajzat folën më shumë se djemtë e ky është trend dhe thonë pse ka qeveria më shumë gra – për të krijuar disa koncepte fillestare e për të pasur disa dije fillestare lidhur me profesionet e me zanatet, gjë që paralelisht me marrjen e atyre dijeve, të krijon edhe një ide më të qartë se çfarë drejtimi do të marrësh.

Në këtë aspekt, tek zejet janë shumë gjëra që mund të përfshihen, nga ato që lidhen me tokën apo me prodhimin. Në fakt, sot jemi duke punuar për një projekt shumë të thjeshtë, të kthimit të shumë hapësirave të shkollave, që janë hapësira të gjelbra teorikisht, por që përgjithësisht janë hapësira të pashfrytëzuara, në hapësira prodhuese, në mikro-ferma ku nxënësit e interesuar, nën kujdesin e një agronomi mund të marrin dije për ciklet e prodhimit. Njëkohësisht, aty mund të krijohen edhe zinxhirë modestë, por sidoqoftë, të rëndësishëm vlerash, sesi prodhimet e shkollës mund të përdoren apo mund të shiten. Natyrisht  nuk bëhet fjalë për prodhime që do ndryshojnë buxhetin e shkollës, por, sidoqoftë, për të hyrë edhe në atë rrugë që folëm, të marrjes parasysh të shumëçka, përpara sesa të vendosësh se kush është drejtimi më atraktiv për karrierën tënde.

Po kështu edhe përsa i përket sporteve, klubet sportive, klasat sportive, organizmi tërësor, kapilar, i aktiviteteve sportive në shkolla. Krijimi i një bërthame të mirëorganizuar të një lëvizjeje olimpike që fillon nga poshtë-lart është qëllimi ynë, në kushtet kur tanimë e kemi rikthyer edukimin fizik në shkollë, se ishte zhdukur për shumë e shumë vite në mënyrë absurde, që sidoqoftë ju e dini më mirë se unë, është i pamjaftueshëm dhe nuk është se ju jep ndonjë gjë më shumë atyre që kanë një prirje më shumë për të bërë aktivitete sportive.

Ju falënderoj shumë dhe besoj që këto janë të gjitha sfida të një faze tjetër. Deri dje flisnim për ngrohje, flisnim për klasa që nuk kishin xhama, flisnim për mësues që ishin komplet të pasigurt dhe që përdoreshin e keqpërdoreshin politikisht, emëroheshin sipas orekseve të partisë e që lëviznin sa andej-këtej, ndërkohë sot jemi në një nivel tjetër. Flisnim për libra që ishin pa lidhje fare, sot, edhe këtu jemi në një nivel tjetër. Por tani që këto gjërat bazë janë vendosur, bëhen shumë më evidente problemet e cilësisë, problemet e një ndryshimi që e bën raportin me shkollën një raport të një natyre tjetër, jo thjesht shko, dëgjo, ik dhe eja përsërit atë që dëgjove dhe merr notën, por shumë më tepër se kaq.

Kjo ndikon në shumëçka tjetër që vjen më pas. E për atë që vjen më pas, unë jam 100% dakord me ju. Nuk ka asnjë diskutim që, nëse në nivelin e shkollave të mesme apo në nivelin e mëposhtëm janë bërë disa ndryshime që janë vërtetë të rëndësishme e kanë krijuar një bazë të re mbi të cilën ne mund të flasim plot për të tjera nevoja, që janë nevoja që fillojnë e bëhen nevoja emergjente të cilësisë, jo më të mbijetesës, me universitetin jemi ende mbrapa. Prandaj po bëjmë çmos të hapim rrugën për të sjellë sa më shumë universitete të huaja në Shqipëri, që të bashkohen me universitetet tona dhe hap pas hapi të arrijmë në dhënien e diplomave të barasvlershme që ju të mos keni nevojë të ikni jashtë për të bërë shkollën, por të gjeni këtu universitete të huaja publike, që janë universitete ku përndryshe do të shkonit duke lënë shtëpinë e duke shpenzuar shumë më tepër nga buxheti i familjes. Edhe ky është një proces që besoj do të na çojë në një nivel tjetër, por na duhet kohë dhe durim për ta realizuar. Kemi disa hapa të mirë që po bëjmë, por sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për maturantët e sivjetshëm apo për ata të vitit tjetër besoj, sepse ky program do të kërkojë kohën e vetë.

Edhe një herë me lutje, kërkesën, apo porosinë, si të doni merreni, kush dëshiron prej jush të vazhdojë të jetë pjesë e këtij procesi dhe të na ndihmojë për të marrë më shumë opinione brendapërbrenda shkollës, duke u bërë në një farë mënyrë vullnetar, meqë disa e kishin merak që nuk kishin ku të bëheshin vullnetarë, ja ku e keni një mundësi që të bëheni vullnetarë për Strategjinë Kombëtare të Rinisë, si koordinatorë vullnetarë të gjithë këtij zinxhiri që do të krijohet nga të gjitha takimet që Bora dhe unë, ku të mundem, do bëjmë në gjithë Shqipërinë, për të pasur në fund, një panoramë shumë të qartë të të gjithë mendimeve të nxënësve, për të bërë një raport të gjithë këtij procesi bashkëbisedimi. Të gjithë këta koordinatorë që do përfshihen, do ta marrin këtë raport, – printimin do t’ia bëjmë ne, nuk do ju detyrojmë e nuk e kuptoj çfarë është ajo histori që ju detyrojnë të printoni gjatë gjithë kohës letra, nuk e kam kuptuar akoma, por do mundohem ta kuptoj më mirë, – por në këtë rast nuk do ju themi t’i printoni ju, por do ju japim kopjet që t’i shpërndani edhe tek ata që do jenë pjesë e interesuar e këtij procesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA