Samiti i EPP për Ballkanin Perëndimor/ Basha: Është jetike për BE-në të përqendrohet në njohjen e Kosovës

05/10/2021 18:58

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Samitin e EPP për Ballkanin Perëndimor ka trajtuar situatën e krijuar në Kosovë dhe Serbi, duke theksuar se edhe një herë na tregoi se sa e brishtë mbetet paqja dhe stabiliteti në këtë rajon.

Në shënimin e tij Basha thotë se është jetike për BE-në të përqendrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se kjo është e vetmja mënyrë për të hyrë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit.

Reagimi i plotë:

Ngjarjet e fundit në kufirin Kosovë-Serbi dhe në Malin e Zi, tregojnë se sa e brishtë mbetet paqja dhe stabiliteti në këtë rajon.

Remineshencat e një të kaluare jo shumë të largët, të përziera me interesa gjeo-strategjike të fuqive jo-perëndimore, janë një fitil që mund të ndizet nga momenti në moment. 

Siç e dimë të gjithë, problemet e pazgjidhura shumë lehtë mund të kthehen në kriza.

Kjo është arsyeja pse është jetike për BE-në që të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Dhe për ta arritur këtë, njohja e Kosovës nga 5 Shtetet Anëtare të mbetura duhet së pari të përfundojë.

Asnjë paralelizëm nuk mund të bëhet, asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka certifikuar atë

Vetëm në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor do të hyjë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit, e cila me siguri do të jetë një vlerë e shtuar për BE-në.

Top Channel