Çështja “Becchetti”/ PD dorëzon kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor: Dëmi të mos paguhet nga shqiptarët

01/10/2021 12:21

Nënkryetarja e PD, Grida Duma ka treguar se kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “Becchetti”.

Në një deklaratë për mediat, Duma bëri me dije se Komisioni Hetimor do të ngrihet që paratë e fituara nga një gjykatë arbitrazhi në favor të biznesmenit italian, të mos paguhen nga taksat e qytetarëve, por nga ata që në të vërtetë shkaktuan dëmin, që sipas saj është qeveria.

Duma: Sot protokolluam kërkesën zyrtare të PD dhe grupit parlamentar të PD, sa i përket komisionit hetimor të Kuvendit për çështjen Becchetti. Opinioni publik është i njohur në këtë rast dhe koston mbi 120 mln euro që shqiptarët duhet t’i paguajnë një kompanie private. Në këtë gjendje që është Shqipëria sot do të duhet të paguajë një borxh tjetër, për një sagë që nisi në 2015 si një sagë hakmarrje politike. Ajo ishte një ndër të paktat media që bënte opozitë ndaj korrupsionit dhe në atë rast, publikoi dasmën luksoze të Veliajt.

Kjo çështje nisi për politikë dhe sot rezulton në 3 dëme të mëdha. Dëmi i prishjes së një investimi të huaj, moslejimi i fjalës së lirë të një mediaje dhe koston financiare që duhet të paguajmë. Pikërisht për t’i dhënë sistemit të drejtësisë atë që është shansi për të riparuar dëmet dhe për të mbyllur një sagë tjetër, ky komision hetimor, ne si anëtar të këtij komisioni duam të shtrojmë më tepër qartësi dhe që dëmin në fund, duhet të mos e paguajnë shqiptarët që s’kanë asnjë faj, por ata që e nisën me koshiencë këtë dëm.

 

Top Channel